Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar të dhënat e pasqyrave financiare të Ministrisë së Punëve të Brendshme për vitin 2024.
Një çështje që u trajtua nga ZKA-ja është edhe kompensimi përtej afateve të përcaktuar me Udhëzim Administrativ.
Sipas Udhëzimit Administrativ 02/2023, konkretisht paragrafi 2, përcakton që “Suspendimi nga Puna mund të zgjas deri në 6 muaj. Pas kësaj periudhe punëdhënësi është i obliguar që të punë dhënësin ta kthejë në punë ose t’ia shkëpusë kontratën. Gjatë kësaj kohe të punësuarit i takon kompensimi në pagë në vlerë prej 50% të pagës”.
Nga gjetjet e Auditorit, 69 zyrtarë policorë janë të suspenduar e të cilët janë duke u kompensuar më gjatë se gjashtë muaj, të dhëna këto deri në fund të vitit 2024.
Por, në lista janë vërejtur edhe policë të suspenduar që po kompensohen nga viti 2022.
“Gjetja – Udhëzimi Administrativ 02/2023 mbi marrëdhënien e punës në Policinë e Kosovës në nenin 78 paragrafi 2, përcakton që ‘Suspendimi nga puna mund të zgjasë më së shumti 6 muaj. Pas kësaj periudhe punëdhënësi është i obliguar që të punësuarin ta kthej në punë ose t’ia shkëpusë kontratën e punës. Gjatë kësaj periudhe kohore të punësuarit i takon kompensimi në pagë në lartësi prej 50% të pagës’”.
“Në Policinë e Kosovës numri i zyrtarëve të suspenduar të cilët vazhdojnë të kompensohen më gjatë se gjashtë muaj deri në fund të viti 2024 ishte 69. Nga lista e zyrtarëve të suspenduar e pranuar nga stafi përgjegjës i PK-së vërehet se kishte edhe zyrtarë policorë që ishin suspenduar që nga viti 2022 dhe ende vazhdojnë të kompensohen me 50% të pagës. Suspendimi i zyrtarëve policorë kryesisht ishte bërë nga Inspektorati Policor”, thotë ZKA-ja.
Kjo dukuri, sipas Raportit të Auditorit, po ndodh pasi që “suspendimi i përkohshëm nga Inspektorati Policor i Kosovës, bëhet kryesisht për vepra penale dhe se trajtimi i rasteve të tilla nga Gjykatat bëhet në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovë, i cili nuk parasheh afat gjashtë (6) mujor për përfundimin e suspendimit”.
“Udhëzimi administrativ 02/2023 nuk ka ofruar shtjellim të rasteve kur vendimi nuk mund të merret brenda afatit gjashtë (6) mujor si rezultat i veprave penale”, potencon raporti i ZKA-së.
Në raport thuhet se mos definimi i qartë nga Udhëzimi Administrativ në lidhje me rastet kur vendimi i të suspenduarve varet nga institucionet gjyqësore dhe zgjat më shumë se gjashtë muaj “po ndikon në kosto shtesë për buxhetin e Policisë së Kosovës, duke ulur disponueshmërinë e fondeve për nevojat tjera buxhetore”.
Zyra Kombëtare e Auditimit rekomandon që Ministri dhe Drejtori i Përgjithshëm i PK-së duhet të rishikojnë Udhëzimin Administrativ 02/2023 në lidhje me periudhën e kompensimeve në pagë për të suspenduarit, duke e definuar qartë cilat janë veprimet konkrete që duhet të ndërmerren pas skadimit të afatit të kompensimit.