Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti në takim të ngarkuarin me detyrë të ambasadorit të Australisë në Zagreb, Adrea Biggi, njëherësh ambasador jorezident i Australisë në Kosovë.
Përmes një njoftimi për media thuhet se takimi filloi me falënderimin e kryeministrit Kurti për mbështetjen e hershme dhe të vazhdueshme të Australisë ndaj popullit dhe shtetit tonë.
“Australia është nga vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, dy ditë pas shpalljes së saj, dhe një prej vendeve të para me të cilat Republika e Kosovës ka vendosur marrëdhënie diplomatike, tre muaj pas shpalljes shtet i pavarur dhe sovran. Australia po ashtu ishte shtëpi e rreth 4.000 refugjatëve nga Kosova gjatë vitit 1999, dhe sot është mbështetëse e shtetit të Kosovës në synimet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Përmirësimin e indikatorëve ekonomik dhe të atyre demokratik, kryeministri Kurti ia atribuoi stabilitetit institucional, qeverisjes demokratike dhe platformës anti-korrupsion.
Përkrah rritjes ekonomike prej 10.53%, gjatë këtij viti të qeverisjes, Kosova është renditur në vendin e parë sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan sipas World Justice Project, është ngritur për 17 vende sa i përket luftës kundër korrupsionit sipas Transparency International dhe për 17 vende më lart sa i përket lirisë së mediave, sipas Reporterëve pa Kufij.
“Lidhur me bashkëpunimin rajonal, kryeministri Kurti tha se Kosova është treguar e përkushtuar, konstruktive në qasje dhe kreative në propozime. Ngjashëm sikurse edhe në procesin e dialogut me Serbinë, për të cilin theksoi se duhet të jetë dialog parimor që respekton barazinë e palëve në bisedime dhe që në qendër të marrëveshjes duhet ta ketë njohjen e ndërsjellë”, thuhet më tej në njoftim.
Në anën tjetër, ambasadori Biggi e falënderoi kryeministrin Kurti për mirëpritjen, për bashkëpunimin e mirë dhe për urimin që i ka bërë kryeministrit të sapo zgjedhur të Australisë, Anthony Albanese. Ai tha se Australia vazhdon të ketë gatishmëri për të ndihmuar Republikën e Kosovës dhe për të pasur bashkëpunim të ngushtë në fusha me interes të përbashkët.