Afati i masave izoluese në Austri është zgjatur zyrtarisht deri më 11 dhjetor, siç ishte planifikuar, pas shenjave se kufizimet janë duke ndihmuar për ta ulur shkallën e lartë të infeksioneve.
Një komision parlamentar të martën vendosi për zgjatjen e afatit të masave në atë që është izolimi i katërt i Austrisë në pandemi, që ka filluar nga 22 nëntori, shkruan Associated Press.
Megjithatë, në masat e reja është një ndryshim themelor: dyqanet joesenciale, që deri më tani u është lejuar puna deri në orën 21:00 tani e tutje duhet të mbyllen në orën 19:00 nga e enjtja.
Qeveria austriake vendosi masa izoluese pas rritjes së numrit të infeksioneve dhe spitalet në rajonet më të prekura paralajmëruan se repartet e kujdesit intensiv po mbushen me pacientë. Austria është shteti i parë evropian që është zotuar se vaksinat do t’i bëjë të detyrueshme nga 1 shkurti i vitit të ardhshëm.
Ajo që do të ndodhë pas 11 dhjetorit varet nga situata me pandeminë, por zyrtarët thonë se kufizimet do të mbeten në fuqi për personat e pavaksinuar. Austria ka shkallë relativisht të ulët të vaksinimit për Evropën Perëndimore me më pak se 67 për qind të popullsisë të vaksinuar plotësisht.
Shkalla mesatare javore e infeksioneve ka filluar të bjerë. Të martën ishte 894.2 raste për 100.000 banorë, ndërsa në ditën kur filloi izolimi ishte mbi 1.100 për 100.000 banorë. / Gazeta Enigma.