Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar se gjatë transferimit të një pacienti, autoambulanca e tyre është goditur nga mbrapa nga vetura në të cilën ndodheshin familjarë të pacientit.
“Sot gjatë transferimit të një pacienti për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ekipi ynë mjekësor është përfshirë në një aksident trafiku. Autoambulanca e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, në të cilën ndodheshin pacienti, mjeku, infermieria dhe shoferi i autoambulancës, u godit nga prapa nga një veturë ku gjendeshin familjarë të pacientit.”
Si pasojë e këtij aksidenti, një mjek ka pësuar frakturë në dorë dhe po trajtohet në QKUK, ndërsa infermierja dhe shoferi kanë marrë lëndime më të lehta e pacienti nuk ka pësuar lëndime.
“Pacienti është transferuar me sukses për në QKUK pas intervenimit të shpejtë nga një ekip tjetër me një autoambulancë tjetër të Spitalit tonë. Spitali i Përgjithshëm në Pejë u uron shërim të shpejtë Mjekut tonë dhe gjithë të lënduarve në këtë aksident dhe shpreh mirënjohje për përkushtimin e personelit tonë shëndetësor, të cilët edhe në situata të tilla vazhdojnë të shërbejnë pacientëve me përgjegjësi dhe profesionalizëm.”