Një autobus i kompanisë “Barileva Turist”, plot me refugjatë ukrainas, është nisur drejt Berlinit të Gjermanisë.
Vozitësi i këtij autobusi, Hyzri Ropica, ka treguar se refugjatët, që janë krejt gra dhe fëmijë, kanë shkuar dhe i kanë marrë vullnetarisht në kufirin Poloni-Ukrainë.
“Ne prej Kosovës kemi ardhur me autobus në kufirin Poloni-Ukrainë. Në qytetin polak, që është i pari në kufi, kemi ardhur dje dhe kemi pushuar deri sot dhe sot kemi shkuar në kampin e këtij qyteti, ku i kemi marrë 80 pasagjerë dhe destinacioni ynë është në Berlin. Që 15 minuta kemi ecur prej kampit të refugjatëve ku kanë qenë”.
“Krejt pasagjerët e kanë destinacion Berlinin, ku kanë ndonjë të afërm ose miq, apo veç ndihen më të sigurt aty. Ka pasur edhe të tjerë refugjatë aty, ku sa kam qëndruar unë për 2-3 orë aty shumica e tyre janë shpërndarë për t’u strehuar në këtë qytet polak dhe në Krakov”.
Ropica ka thënë se kjo iniciativë vullnetare për t’i ndihmuar refugjatët ukrainas, të cilët po ikin nga vendi i tyre pas sulmeve të vazhdueshme të Rusisë, duke i transportuar në vende më të sigurta, ka qenë e kompanisë “Barileva Turist”.
Vozitësi i kësaj kompanie ka thënë se me ukrainasit po ia dalin të komunikojnë me disa fjalë në gjuhën angleze./Gazeta Enigma/