AUV ndalon shitjen e produkteve të bylmetit dhe shpezëve në hapësira publike

AUV ndalon shitjen e produkteve të bylmetit dhe shpezëve në hapësira publike

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), zyra regjionale në Ferizaj, ka njoftuar se gjatë një inspektimi të përbashkët me Policinë e Kosovës në tregun e gjelbër, është ndaluar shitja e produkteve të bylmetit dhe e shpezëve në hapësira publike.

Sipas AUV-së, produktet e qumështit si djathi, gjiza dhe qumështi i freskët janë gjetur duke u shitur në kushte të papërshtatshme, jashtë ambienteve të mbrojtura dhe pa frigoriferë. Kjo praktikë, sipas legjislacionit, përbën shkelje serioze të standardeve higjieno-sanitare dhe rrezikon shëndetin e qytetarëve.

Inspektorët kanë urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të shitjes së tyre në këto kushte dhe kanë paralajmëruar se në rastet e mosrespektimit, produktet do të konfiskohen e asgjësohen, ndërsa shitësit do të përballen me sanksione ligjore.

Po ashtu, gjatë kontrollit është konstatuar edhe shitja e shpezëve në mënyrë të kundërligjshme në hapësira publike, duke bllokuar trotuaret dhe duke rrezikuar higjienën publike. AUV theksoi se kjo veprimtari është e ndaluar nga Ligji për Ushqimin, Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Ligji për Rregullat e Trafikut Rrugor.

“Ky aktivitet ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, ruajtjen e rendit publik dhe respektimin e standardeve ligjore në tregtimin e produkteve shtazore”, thuhet në njoftimin e AUV-së.

Institucioni apelon tek qytetarët që të sigurohen gjithmonë se produktet e bylmetit ruhen në kushte frigoriferike dhe janë të pajisura me etiketë të qartë për origjinën dhe afatin e përdorimit.

Related Articles