Zakonisht, çdo javë, synoj të dërgoj të paktën një mesazh marketingu me email te lista të ndryshme abonentësh. Janë të paktën 10,000 abonentë të ndryshëm (legjitimë) të shpërndarë në lista dhe faqeve të ndryshme biznesesh dhe organizatash. Po pse përpiqem ta bëj këtë gjë rregullisht?
Mbase e keni dëgjuar ose edhe mbase e besoni por fakti mbetet që Marketingu me email ka shumë përfitime dhe këto janë vetëm tre ndër avantazhet kryesore:
1. Komunikimi direkt me abonentët/klientët tuaj;
2. Vlera më e mirë e kthimit të investimit (ROI) në marketing ;
3. Ndërtimi i marrëdhënie & komunikimi me klientët tuaj.
Komunikimi direkt me abonentët/klientët tuaj
Kur ju dërgoni një mesazh me email, ai shkon direkt në ‘inbox’-et e klientëve tuaj ekzistues apo potencialë dhe ata mund ta lexojnë atë në kohën dhe monemtin më të volitshëm për ta. Rrjedhimisht ju mund të komunikoni direkt me ta dhe të siguroheni që mesazhi juaj nuk humbet në morinë e njoftimeve pa fund që ata marrin në mediat sociale apo kanalet e tjera ku ata shkojnë të informohen apo zbaviten online.
Vlera më e mirë e kthimit të investimit (ROI)
Raporte dhe studime të shumta kanë vërtetuar se ndërtimi i një liste kontaktesh me klientët tuaj dhe investimi për t’u dërguar atyre mesazhe/fushata marketingu të rregullta është ndër investimet me kthimin më të mirë. Thënë ndryshe nëse harxhoni 5,000 lekë/muaj për të menaxhuar listën dhe dërguar mesazhe javore apo mujore, atëherë potenciali i kthimit të investimit tuaj është vetëm në rritje dhe zakonisht ju mund t’i nxirrni lekët e investuara (në muaj) me çdo fushatë që dërgoni pasi ata klientë që marrin reklamën tuaj zakonisht blejnë sepse ju njohin ju dhe produktet/shërbimet tuaja. Rrjedhimisht edhe ju e rikuperoni investimin ne ‘marketingun me email’ lehtësisht, mbase që në shitjen e parë.
Ndërtimi i marrëdhënies dhe komunikimi
Edhe pse në gjykimin tim, ndërtimi i marrëdhënies dhe komunikimi i drejtpërdrejtë duhet të jenë ndër funksionet kryesore të marketingut, kur flasim për marketingun me email nënkuptojmë një komunikim me mesazhe që i shkojnë klientëve tuaj ekzistues apo potencialë. Synimi i mesazheve duhet të jetë ndërtimi i një marrëdhënie të vlefshme për ju dhe klientët tuaj, pasi askush nuk dëshiron të marrë vetëm ‘reklama’ dhe askush nuk do që t’i kushtojë kohë mesazhit tuaj thjesht sepse i ka ardhur në inbox. Sot, çdokush merr një mori shumë të madhe mesazhesh në inbox dhe rrjedhimisht edhe interesi apo koha që i kushtohet çdo mesazhi bie ndjeshëm. Por, çdokush, është gjithmonë i gatshëm t’i kushtojë më shumë kohë një mesazhi që i vjen nga dikush që e njeh apo me të cilin ka një marrëdhënie personale apo pune! Në rastin e mesazheve që ju mund të dërgoni si biznes apo organizatë, ato duhet të jetë informative, edukative, zbavitëse dhe gjithsesi të vlefshme për lexuesin, në të kundërt përfundojnë në kosh!
Menaxhimi i listave me abonentë
Siç e përmenda, kontaktet/adresat që menaxhoj nuk janë të gjithë në një listë dhe as në një platformë. Ato menaxhohen në mënyra të ndryshme dhe janë në vartësi të ‘madhësisë së listës’ dhe ‘periodicitetit të dërgimit’.
P.sh. lista e klientëve te ShtepiaeLibrit.com merr mesatarisht një mesazh dy herë në muaj, ndërkohë që SfidaBiznesi.com (pra kjo listë) merr një mesazh çdo javë, ndërkohë që te AlbanianBlogger.com lexuesit marrin një mesazh mesatarisht një herë në muaj. Ndërsa lista të tjera (që nuk do desha t’i përmend me emër këtu) variojnë nga një mesazh çdo javë apo çdo dy javë.
Pagesa sipas madhësisë së listës
Shumë biznese dhe organizata nuk përdorin platforma për dërgimin e mesazheve pasi zakonisht kanë lista të vogla me disa dhjetëra apo qindra. Por, shtrëngimi i rregullave për dërgimin e mesazheve si rrjedhojë e luftës kundër mesazheve SPAM, ka bërë që edhe mundësia e dërgimit të mesazheve te mbi 30 apo 50 kontakte njëherësh të jetë e kufizuar për shumë organizata apo biznese. Kufizimi mund të jetë në bazë të ISP-së që menaxhon adresat tuaja, apo të vetë shërbimit të Email që ju përdorni apo edhe faktorë të tjerë.
Rrjedhimisht, ato biznese apo organizata që kanë nevojë të komunikojnë me qindra apo mijëra kontakte njëherësh kanë nevojë të përdorin shërbime të dedikuara për këtë funksion.
Dërgimi i mesazheve në masë është një nga funksionet më bazike të ‘marketingut me email’ dhe sot ka mjaft shërbime të tilla për “email marketing” të cilat ofrojnë shërbim falas për lista më të vogla se 2,000 kontakte/adresa por që pastaj imponojnë një kosto shtesë kur kalohet pragu. Në rastin e listave që ju përmenda një pjesë e tyre menaxhohen nëpërmjet shërbimeve si MailChimp.com; WordPress.com; dhe Sendy.co. Pjesa tjetër janë të vetëhostuara por dërgohen nëpërmjet shërbimeve si Amazon SES, SendGrid.com, etj.