Zana Avdiu, aktiviste për të drejtat e grave, ka thënë se askush nuk mund t’ia ndalojë kritikën.
Ajo ka shkruar për herë të parë pas statusit që bëri për futbollistin, Granit Xhaka e që ngjalli reagime edhe për tej Kosovës.
Avdiu thotë se ka marrë mbështetje nga gazetarët dhe aktivistët zviceranë, duke thënë se qëllimi i saj ka qenë luftimi i gjesteve që nxisin dhunë seksuale.
“Dhe, në fakt ky qe dallimi esencial në mes të gazetarëve dhe aktivistëve të Zvicrës që më mbështeten, dhe pjesës së madhe të atyre kosovarë. Aktivistet dhe gazetaret nga Zvicra thonë: Me vite jemi duke punuar që ti mësojmë fëmijët dhe të rinjtë që nuk duhet të bëhen gjeste të tilla që simbolizojnë dhunën seksuale, në mënyrë që ta eliminojmë dhunën ndaj grave dhe vajzave- dhe del një rol model i tyre, dhe e rrënon gjithë atë punë që e kemi bërë”.
“Dhe fatkeqësisht një gjest i tille, tregon se futbolli ende mbetet një sport misogjen e seksist, sado që industria e futbollit po mundohet ta luftojë këtë. Ndërsa arsyetimi nga Kosova është që në futboll tolerohet. Ky dallim tregon sa e normalizueme dhe e pranueshme është dhuna ndaj grave dhe vajzave, në shoqnine tonë. Pra, zviceranët seksizmi i pengon kudo që shfaqet, ndërsa për shumicën e kosovrëve është i pranueshëm”, ka shkruar Avdiu.
Ajo po ashtu ka thënë se me vite janë kritikuar edhe pjesëtarë të UÇK-së dhe lëvizjeve paqësore, duke aluduar se askush nuk mund të jetë imun ndaj kritikës.
Në debatin për deklaratat e Zana Avdiut është përfshirë edhe Ragip Xhaka i cili e ka mbrojtur djalin e tij, duke e kritikuar ashpër Avdiun që po i mbron ”tezat serbe“.