Plator Avdiu nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka thënë se protestat e së premtes në veri të vendit janë inskenim i pastër nga presidenti serb Alekasander Vuçiq. Avdiu ka deklaruar se Vuçiqi e paralajmëroi një gjë të tillë tri ditë më herët në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë serbe, megjithatë ka shtuar se veprimi i institucioneve të Kosovës është i duhuri.
“Ka pasur zhvillime gjatë javëve të fundit. Kemi pasur protesta mbrëmë në Beograd kundër NATO-s, madje edhe kundër Madeleine Albrightit, por përgjithësisht kundër NATO-s. Në anën tjetër kemi tendencën e Serbisë të sillet me Kosovën qysh është sjell sistematikisht. Duke shfrytëzuar komunitetin serb në Kosovë për ta destabilizuar situatën, protesta e sotme ishte në funksion të saj. U organizua nga Lista Serbe. Janë duke u munduar që ta vendosin Kosovën keq, në vendim të mosmbajtjes së zgjedhjeve. E pamë që këto tendenca janë krijuar vetë nga Serbia”, thotë Avdiu”
“Vetë Vuçiqi e inskenoi këtë, pasi tha se serbët duan të largohen nga institucionet në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit para tri dite. E ka ditur që do të ndodhte kjo, prandaj e ka ftuar kryetaren e Gjykatës së Mitrovicës në atë mbledhje. Edhe komandantët e Policisë, s’kanë pas arsye të merrnin pjesë aty. Ata nuk marrin vendime. Ishte inskenim i pastër nga Vuçiqi për ta nxitur këtë. Preteksti i mosmbajtjes së zgjedhjeve është vetëm një arsye për ta sjellë një destabilizim të mundshëm të situatës. Është vendim që duhej të merrej më herët edhe nga qeveritë e mëhershme. Ishte reagim i mirë nga institucionet e Kosovës, nga Qeveria e nga KPK-ja”, ka thënë Avdiu në KTV.
Sipas Avdiut, nuk pritet që të ketë rrezik të nivelit të lartë.
“Kjo është ajo që bën Serbia për ta goditur Kosovën aty ku është më e dobët, në institucionet e saj në veri. Nuk mendoj se do të ketë rrezik të nivelit të lartë. Policia jonë është e konsoliduar mirë në tërë territorin. Policia e ka nën kontroll atë pjesë. Nuk është një situatë që mund ta rrezikojë sigurinë e vendit”, shtoi Avdiu.