Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje nga Lista GUXO, Haxhi Avdyli, ka folur mbi incizimet e publikuara sot nga “Paparaci” ku dëgjohen duke folur shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ish-deputeti Sllavko Simiq dhe krimineli Millan Radoiçiq.
Avdyli tha se “përgjimi nuk thotë asgjë, është një bisedë normale e dy kolegëve”, teksa shtoi se kryetarja e grupit parlamentar të VV-së e ka për detyrë që të ketë kontakte me grupet parlamentare në kuvend.
“Ndoshta ne nuk kemi kontakte me AAK-në, me PDK-në, por kryetarja e grupit parlamentar është e obliguar që për raste të veçanta të ketë kontakte edhe me akterët politikë të kuvendit. Kurrfarë koordinimi nuk ka ndodhur”.
“Kjo akuzë që vjen, vjen nga ata që kanë pasur koalicion me Listën Serbe. Vjen nga ata që e kanë pritur Radoiçiqin në Zyrën e Kryeministrit dhe kanë shkuar në të shtëpi të tij”, tha ai në “DPT te Fidani”.
Tutje, Avdyli tha se për herë të parë prej pasluftës, Kosova ka një qeveri që nuk është e varur nga votat e Listës Serbe, e kjo sipas tij, është më kryesorja.
“Ndërsa, të gjitha qeveritë e tjera, unë jam deputet për herë të parë në vitin 2017, në atë kohë me LDK-në, koalicioni PAN, e ka pritur mbi 7 orë Listën Serbe derisa të vjen me direktivat e Vuciqit për ta votuar atë koalicion”.
“Dhe këta na flasin për disa përgjime të cilat edhe ashtu kanë qenë të manipuluara dhe koordinuara nga Sërpska, sepse ne jemi njerëz dhe kur të thirrë dikush duhet ta hapësh telefonin dhe të flasësh, por kjo ka qenë e planifikuar që të incizohet dhe të keqpërdoret në kësi raste. Këto nuk pinë ujë”, tha ai.