Gjykata Kushtetuese këtë të premte ka nxjerr aktgjykimin e saj lidhur me situatën e krijuar në Kuvend, raporton Gazeta “Enigma”.
Në njërën nga pikat e saj, Gjykata njofton se Avni Dehari, kryesues i seancës konstituive nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025.
‘‘TË KONSTATOJË, njëzëri, që Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;’’, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Ajo gjithashtu ka shpallur të pavlefshme të gjitha seancat e Kuvendit të Republikës së Kosovës të mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025, duke konstatuar se ato janë zhvilluar në kundërshtim me një aktgjykim të mëparshëm të saj.
Ky vendim u mor lidhur me kërkesat KO193/25 dhe KO196/25 të paraqitura nga grupet e deputetëve të udhëhequr nga Memli Krasniqi dhe Hykmete Bajrami, në lidhje me kushtetutshmërinë e vendimit të Kuvendit për votimin e Komisionit për votim të fshehtë gjatë seancës konstituive të mbajtur më 29 qershor 2025.