Avni Dehari: Vjedhja e mostrave është krim, prokurori nuk po ndërmerr asgjë

Avni Dehari: Vjedhja e mostrave është krim, prokurori nuk po ndërmerr asgjë

Babai i Astrit Deharit, Avni Dehari, e ka kritikuar prokurorinë e shtetit se nuk po merr asnjë masë për ta zbardhur rastin e zhdukjes së mostrave të djalit të tij.

Ai tha se e ka përjetuar mjaft rëndë lajmin për zhdukjen e mostrave, teksa ka thënë se ky krim duhet të zbardhet sa më shpejt.

“Vjedhja është bërë në laborator, ky është rast i rëndë, është krim. Prokurori në vend që të marrë masa e të angazhohet më tepër, si çdo herë nuk ndërmerr asgjë”, ka thënë ai.

Avni Dehari, tha se lajmin për zhdukjen e mostrave e kanë mësuar nga mediat, teksa shtoi se kjo nuk është hera e parë që mostrat e djalit të tij zhduken apo dëmtohen.

“Lajmin e kemi marrë përmes mediave. MD-ja, ka dalë në media dhe përmes tyre e kemi marrë lajmin. Me mostrat është manipuluar që nga fillimi. Në ekspertizën e Zvicrës është bërë një varg vërejtjesh se provat janë dëmtuar. Për rastin e thonjve, zarfa është dërguar e zbrazët… Edhe kjo është zhdukje e mostrave. Tash është bërë zhdukje e mostrave, mendoj se kjo është bërë me qëllim nga të njëjtit njerëz që nga fillimi i kanë dëmtuar mostrat tash i kanë vjedhë. Prokurori duhet ta zbardhë këtë rast”, ka thënë ai.

Kritika ai ka pasur edhe për ish-prokurorin Sylë Hoxha, për të cilin tha se po tenton vazhdimisht ta manipulojë publikun.

“Ka pasur shumë manipulime për këtë rast, përpos ekspertëve ligjor të Kosovës, ka pasur edhe ekspertët me kërkesën tonë. Prokurori Sylë Hoxha, manipulon në TV dhe thotë që ekspertët e pavarur ligjor kanë qenë korrekt dhe na kanë përgëzuar për punën e mirë që kemi bërë. Por, asnjëherë nuk thotë që ata kanë sjellë një përfundim tjetër, nga këta të Kosovës”, ka thënë ai.

Babai i Astrit Dehari, tregoi që asnjëherë nuk është kontaktuar nga asnjë prokurorë për t’u pyetur apo informuar rreth rastit.

“Asnjëherë as prokurori i parë e i dytë nuk na kanë kontaktuar neve asnjëherë. E kuptoj që ata mund të komunikojnë me avokatin, por është e rëndësishme që edhe me prindërit e fëmijës të marrin mendim. Me kërkesën tonë kur kemi qenë me Afrim Gashin, aq ftohtë dhe me përbuzje na shikonte, pse dilnim në media. Nëse prokurori e kryen punën korrekt dal e them se jam i kënaqur në media”, ka thënë ai.

Related Articles