Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Berat Lahu është liruar nga paraburgimi dhe kjo masë i është zëvendësuar me masën e ndalimit “për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar”.
Lajmin për lirimin e Lahut, të dyshuar për “marrje ryshfeti” dhe “ushtrim ndikimi” në aferën ‘Brezovica’, e ka konfirmuar të martën Valdrin Behrami, avokati mbrojtës i asamblistit të LVV-së.
Në një deklaratë për Paparacin, Behrami ka thënë se klientit të tij i është ndërprerë masa e paraburgimit me masën e ndalimit të afrimit te të pandehurit dhe dëshmitarët e rastit ‘Brezovica’.
Paparaci ka siguruar vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë për lirimin e Lahut.
Në vendim thuhet se gjykata mund ta rikthejë masën e paraburgimit ndaj Berat Lahut, nëse ai nuk respekton masën e ndalimit “për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar”.
“Të pandehurit Berat Lahu i ndalohet për t’iu ofruar të pandehurve dhe dëshmitarëve në rastin “Brezovica”. Në rast të mos respektimit të kësaj mase nga ana e të pandehuri, gjykata ndaj të njëjtit do të caktoj masën e paraburgimit”, thuhet në aktvendimin e gjykatës.
“Në raste se personat e mbrojtur qëllimisht i afrohen të pandehurit Bajram Lahu gjykata mund ti dënoj personat e mbrojtur me gjobë”, thuhet në vendim.
Berat Lahu është arrestuar nga Policia e Kosovës më 21 shtator në Prishtinë. Ai dyshohet për përfshirje në aferën ‘Brezovica’.
Pas arrestimit, ai ishte suspenduar nga funksionet brenda Lëvizjes Vetëvendosje më 23 shtator, 2022. Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka ka thënë se suspendimi i Lahut do të zgjasë deri në përfundimin e procesit gjyqësor ndaj tij.
Lahu ishte asamblisti më i votuar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të fundit lokale. /Paparaci.com