Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me të bashkakuzuarit e tij, të hënën pritet të paraqesë mocionin për rrëzimin e disa prej pikave të aktakuzës në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në lidhje me këtë proces, avokati i licencuar në Gjykatën Speciale, Artan Çerkini, theksoi se kjo procedurë përbën një hap të ri dhe të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë ku përfshihen shtetasit e Kosovës.
Ai shtoi se, ndonëse Dhomat e Specializuara de jure konsiderohen pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, procedurat që zhvillohen atje janë në thelb të ndryshme nga ato që aplikohen në Republikën e Kosovës.
“Sipas kësaj procedure, Prokuroria e përfundon paraqitjen e rastit të saj, prezanton të gjitha provat dokumentare dhe dëgjon të gjithë dëshmitarët. Vetëm pas kësaj faze, mbrojtjes i jepet mundësia të paraqesë mocionin për rrëzimin e aktakuzës, duke argumentuar se provat e Prokurorisë nuk e përmbushin standardin e nevojshëm për të shpallur fajtor të pandehurit në lidhje me pikat përkatëse të aktakuzës”, u shpreh Çerkini, për RTK.
Ai sqaroi më tej se në këtë fazë, gjykata mund të vendosë të hedhë poshtë disa aktakuza apo të gjitha. Në rast se ndonjë pikë e aktakuzës rrëzohet, ajo nuk do të trajtohet më në vazhdimin e procesit. Por nëse disa akuza mbeten në fuqi, atëherë mbrojtja do të ketë mundësinë të prezantojë kundër-prova në përpjekje për t’i rrëzuar ato gjatë fazës përfundimtare të gjykimit.
Çerkini deklaroi se tashmë janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për lirimin me kusht të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të bashkakuzuarve të tij.
Tutje, Çerkini theksoi se masa e paraburgimit është forma më e rreptë për sigurimin e prezencës së të pandehurit në një procedurë penale, dhe se ekzistojnë alternativa më të buta që duhet të merren parasysh, veçanërisht në fazat e avancuara të procesit.
“Mendoj që tani janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për lirimin me kusht, ngase paraburgimi është masa më e rreptë për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë penale. Përveç paraburgimit, ekzistojnë edhe masa të tjera alternative. Sa më shumë të avancojë procedura, aq më shumë duhet të zbuteshin masat e sigurisë”, deklaroi Çerkini.
Sipas tij, argumenti kryesor i Prokurorisë për mbajtjen në paraburgim ka qenë rreziku i ndikimit në dëshmitarë, por kjo bazë nuk ekziston më.
“I vetmi argument i Prokurorisë ka qenë që të pandehurit të mbahen në paraburgim për shkak të rrezikut të ndikimit në dëshmitarë. Tashmë ky rrezik nuk ekziston, sepse Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj dhe dëshmitarët e saj janë dëgjuar. Për rrjedhojë, nuk ka më mundësi që të ndikohet në dëshmitarët e Prokurorisë”, shtoi ai.
Avokati Çerkini theksoi se për këto arsye paraburgimi është dashur të zëvendësohet me masa më të lehta të sigurisë, siç është për shembull arresti shtëpiak.