Prokuroria Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë kallëzimin penal të parashtruar nga Nasuf Hasani [avokati i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu], kundër prokurorit disiplinor, Rexhep Veseli dhe avokatëve Bajram Lajqi, Besiana Syla dhe Sarandë Beqiri.
Sipas aktvendimit të Prokurorisë të cilin e ka siguruar Gazeta Sinjali, rezulton se nuk ka prova të besueshme të cilat përbëjnë dyshim të arsyeshëm se zyrtarët e Odës së Avokatëve të Kosovës kanë kryer vepër penale.
Në arsyetimin e saj, Prokuroria thotë se pas dërgimit të lëndës në kompetencë të Departamentit të Përgjithshëm dhe shqyrtimit të përmbajtjes së kallëzimit penal të parashtruar nga Hasani, Prokurori i Shtetit nuk ka gjetur dyshim të arsyeshëm se mund të jetë kryer ndonjë vepër penale.
“Parashtruesi i kallëzimit penal pretendon se: i dyshuari, Rexhep Veseli, më datë 4 gusht 2022, në cilësinë e Prokurorit Disiplinor ka ngritur propozimin kundër të dëmtuarit Nasuf Hasani, për shkak të shkeljeve disiplinore të avokatit Nasuf Hasani, i cili më 13 mars 2021 në email-in drejtuar 472 adresave elektronike, ka përdorur shprehje joadekuate “Po rren Behar Ejupi… është rrenc dhe i pa besë” dhe sipas parashtruesit të kallëzimit penal, propozimi për fillimin e procedurës disiplinore nuk i përmban kushtet e parapara me Rregulloren për Procedurën Disiplinore për Avokatë dhe Praktikantë neni 13”, thuhet në arsyetimin e Prokurorisë.
Ndërsa për avokatët, Bajram Lajqi, Besiana Syla dhe Sarandë Beqiri, sipas Prokurorit të Shtetit në përmbajtjen e kallëzimit penal, Nasuf Hasani nuk ka cekur asnjë veprim konkret të tyre.
Në aktvendimin e siguruar nga Sinjali, thuhet se pretendimet e paraqitura nga avokati Hasani, janë të natyrës administrative dhe nuk ofrojnë asnjë provë të besueshme nga e cila formohet dyshimi i arsyeshëm se është kryer vepër penale.
“Për më tepër, i dëmtuari nuk e mohon faktin se ka publikuar një e-mail me përmbajtje “Po rren Behar Ejupi… është rrenc dhe i pa besë”. Në këtë drejtim, çështja se ndaj të dëmtuarit i cili është avokat, ka filluar procedura disiplinore, nuk përbën element të veprës penale, sidomos kur ende nuk ka vendim të formës së prerë nga organet përkatëse të Odës së Avokatëve të Kosovës”, thuhet në gjetjet e Prokurorisë.
E ky nuk është rasti i parë që Nasuf Hasani ia huq keq. Ditë më parë Gjykata Themelore në Prishtinë e ka cilësuar si krejt të palejuar padinë e tij kundër OAK-së, të cilët e kishin gjobitur për shkelje të etikës.
Kujtojmë se, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pati autorizuar për avokat Hasanin, që të ngrejë padi ndaj avokatit Besnik Berisha, pasi e quajti prokurorin e rastit “Brezovica”, Rasim Malokun “këlysh të pushtetit” dhe tha se u arrestua me urdhër të ministres Haxhiu.
Avokati Hasani, i cili është edhe kryetar i OAK-së në degën e Prishtinës, përpara disa javësh u gjobit për shkelje të etikës nga ky institucion.