Shaban Gogaj, i dënuari për vrasjen e Agonis Tetajt, është liruar nga burgu, raporton Enigma.
Lirimin e Shaban Gogajt e ka konfirmuar avokati i familjes së Agonis Tetajt, Berat Tmava, i cili shprehu indinjatë për vendimin e Gjykatës së Apelit.
Tmava tha se familja e të ndjerit Tetaj po ndjehen “të shkatërruar” nga ky vendim.
Ai tha se kanë marrë vendimin për mbrojtje të ligjshmërisë nga ana e avokatit të të paditurit, kërkesë kjo e aprovuar, e me ç’rast edhe i është ndërprerë masa e paraburgimit.
“Natyrisht që familja Tetaj e ka pritur tepër rëndë lirimin nga paraburgimi. Mirëpo, sipas kërkesës së avokatit mbrojtës të akuzuarit Shaban Gogaj, e aprovuar kjo kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, atij iu ka ndërpre paraburgu. Nuk kemi qenë të befasuar nga ky veprim, për shkak se që nga fillimi ky proces ka shku keq, ka pasur ndërhyrje të shumta, dhe ka pasur ndërhyrje nga persona që nuk ia dojnë të mirën drejtësisë. Edhe për këtë vendim nuk jam i befasuar” deklaroi Tmava për IndeksOnline.
Ai tha se ligji nuk iu mundëson të parashtrojnë ankesë për këtë vendim.
“Edhe vendimi i shkallës së dytë ishte skandaloz. Ai vendim bie në ndesh edhe me vendimin e vet paraprak, që u mor nga të njëjtit gjyqtarë. Ai vendim jo që ka qenë skandaloz vetëm për mua, si avokat mbrojtës, por ka qenë skandaloz edhe për te gjithë opinionin e të gjithë Kosovën. Neve nuk na mbetet asgjë. E ka edhe një të drejtë Prokuroria e Shtetit, është një kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në dëm të të akuzuarit, për shkak se vendimet, si i shakllës së parë, ashtu edhe i të dytës, kanë të meta të mëdha dhe janë marrë me një mori vërejtjesh e shkeljesh të ligjit penal dhe atij të procedurës penale” shtoi Tmava.
Agonis Tetaj u vra më 23 shtator të 2018-tës, në vendin e punës në Deçan.