Avokati i Popullit kundërshton vendimin e KQZ-së për Listën Serbe

Avokati i Popullit kundërshton vendimin e KQZ-së për Listën Serbe

Institucioni i Avokatit të Popullit ka reaguar për moscertifikimin e Listës Serbe në KQZ. Në reagim thuhet se ky vendim është marrë pa bazë të qëndrueshme juridike dhe në kundërshtim me procedurat e përcaktuara me ligj.

“Avokati i Popullit shpreh shqetësimin lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të datës 2 dhjetor 2025, për moscertifikimin e partisë politike Lista Serbe (Srpska Lista) për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Ky vendim, i cili për herë të dytë refuzon kërkesën e këtij subjekti politik, është marrë pa bazë të qëndrueshme juridike dhe në kundërshtim me procedurat e përcaktuara me ligj. Avokati i Popullit rikujton se përshtatshmëria politike vendoset nga qytetarët përmes votës së lirë dhe e jo përmes vendimeve administrative.”

IAP shton se çdo ndërhyrje e pajustifikuar që pengon pjesëmarrjen e një subjekti politik cenon të drejtën për t’u zgjedhur dhe ndikon drejtpërdrejt në integritetin e procesit zgjedhor.

“E drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përbën një nga shtyllat themelore të demokracisë. Në këtë kuadër, shteti ka detyrimin pozitiv të sigurojë kushte të barabarta dhe procedura të drejta për të gjithë garuesit politikë, duke garantuar që çdo kufizim të jetë i domosdoshëm, proporcional dhe i mbështetur në ligj. Prandaj, çdo ndërhyrje e pajustifikuar që pengon pjesëmarrjen e një subjekti politik cenon këtë të drejtë dhe ndikon drejtpërdrejt në integritetin e procesit zgjedhor.”

Avokati i Popullit thotë se masat që prekin ekzistencën ose pjesëmarrjen e një partie politike, përfshirë moscertifikimin, duhet të bazohen në një ligj të qartë, të qasshëm dhe të parashikueshëm, si dhe të respektojnë plotësisht procedurat e parashikuara me ligj.

“Ndërhyrjet parandaluese janë të lejueshme vetëm kur bazohen në veprime konkrete të ndaluara me ligj dhe në vendime të formës së prerë të gjykatës, e jo në bazë të qëndrimeve politike.”

Avokati i Popullit mirëpret reagimet e akterëve vendorë dhje ndërkombëtarë.

Avokati i Popullit kërkon nga organet kompetente ta shqyrtojnë këtë vendim dhe të veprojnë në përputhje me parimin e ligjshmërisë, kushtetutshmërisë dhe vlerave të shoqërisë demokratike, duke garantuar mbrojtjen efektive të së drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.

LEXO:

Related Articles