Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka deklaruar se në Kosovë vazhdon të ketë qasje jo të duhur në raport me shëndetin seksual dhe riprodhues. Ai ka theksuar se ka ende paragjykime, deri të mohimi që të debatohet për këtë çështje.
Kjo temë u diskutua në prezantimin e raportit mbi të drejtat në shëndetin seksual, i cili ka nxjerrë edhe disa rekomandime për të cilat ai u ka bërë thirrje institucioneve që t’i zbatojnë.
Raporti është rezultat i një hetimi të thelluar për të drejtat në shëndet seksual dhe riprodhues.
Hulumtimi ndër të tjera ka pasur në fokus qasjen në abort, kujdes pas aborti si dhe kujdesin për shëndetin e nënës.
“Gjetjet e raportit kanë treguar se situata është shqetësuese në disa sektorë në lënien pas dore të shëndetit riprodhues dhe seksual, sidomos në drejtim të qasjes, të vetëdijesim, të ofrimit të shërbimeve, trajtimit pa diskriminim por edhe të nivelit ose të përgatitjes, ose profesionalizmit të ofrimit të shërbimeve që në raste të caktuara mungojnë. Prandaj kjo pasqyron neglizhencën, mungesën në disa raste të vullnetit institucional për me investu në këtë sektor duke marrë parasysh rëndësinë që ka kjo thirrje e Avokatit të Popullit që në këtë drejtim autoritetet me qenë më të kujdesshme”, ka thënë Avokati i Popullit, Naim Qelaj.
Ai ka kërkuar nga institucionet që të zbatojnë detyrimet dhe përgjegjësitë që u takojnë sipas ligjit, në mënyrë që të ofrohet qasje e cila garanton trajtim me dinjitet, mos-diskriminim dhe profesionalizëm në shërbimet në shëndetin riprodhues dhe seksual.
“Ajo çfarë vërehet në shoqërinë tonë është që vazhdon të ketë qasje jo pragmatike dhe jo të duhur në raport me shëndetin seksual dhe riprodhues, gjë që u pa edhe në krejt debatet e kohëve të fundit që u zhvilluan qoftë në Parlament të Kosovës qoftë edhe në kuadër të platformave të komunikimit publik, u vërejt se edhe më tej ka paragjykime dhe kjo çështje konsiderohet tabu dhe ka koncepte paragjykimi deri të mohimi të debatohet për këtë çështje që konsideroj është një situatë që ne duhet me tejkalu domosdoshmërisht me angazhim të përgjithshëm”, ka thënë Qelaj.
Në anën tjetër, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, ka thënë se do të hartojnë planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve nga Avokati i Popullit.
“Me qëllim të adresimit të rekomandimeve nga institucioni i Avokatit të Popullit, Ministria e Shëndetësisë e ka të themeluar grupin punues për hartimin e planit të veprimit për zbatimin e rekomandimeve dhe në vazhdimësi është marrë dhe do të merret me adresimin dhe zbatimin e rekomandimeve që dalin nga institucioni i avokatit të popullit. Ministria e Shëndetësisë ka dorëzuar raporte të rregullta sipas kërkesës së institucionit të avokatit të popullit, andaj edhe këtë raport e mirëpresim dhe tani kemi filluar adresimin dhe zbatimin e rekomandimeve nga ky hetim”, ka thënë ajo.
Visare Mujku-Nimani ka siguruar se UNFPA do të vazhdojë përkrahjen për të siguruar që të gjithë të marrin shërbime cilësore.
“Ne, UNFPA do të vazhdojmë të ofrojmë përkrahjen tonë për të siguruar që asnjë grua, vajza, djalë apo burrë të mos mbetët pa marrë shërbime cilësore atëherë kur ka nevojë, që asnjë nënë të mos e humb jetën për shkak të shtatzënisë si dhe asnjë i ri të mos paragjykohet nëse kërkon shërbime të planifikimit familjar”, sqaroi ajo.
Gjatë prezantimit të raportit, zëvendësavokatja e popullit, Majlinda Sinani-Lulaj, ka bërë të ditur se hulumtimi është bërë në bazë të dëshmive të marra direkt nga gratë dhe vajzat që janë marrëse të shërbimeve shëndetësore si dhe nga ofruesit e këtyre shërbimeve.
Kjo sipas saj është bërë me qëllim që të kuptohet përvoja e qytetarëve mbi kualitetin shërbimeve në fushën e shëndetit seksual dhe riprodhues.
“Sistemi shëndetësor ligjërisht përcaktohet si sistem unik me tri nivele të kujdesit shëndetësor që rregullohet, mbikëqyret dhe kontrollohet nga Ministria e Shëndetësisë. Megjithatë, realiteti tregon se çalon rregullimi, çalon mbikëqyrja dhe çalon kontrolli, anomali në funksionim dhe mungesë në koordinim edhe në planifikim. Nuk është shumë e lehtë me thënë kaq direkt por të gjithë përveç që jemi përfaqësues të institucioneve, organizatave, jemi edhe qytetarë të këtij vendi, shumica prej nesh besoj kërkojmë shërbime në këto institucione dhe të gjithë i njohim praktikisht vështirësitë që ekzistojnë në sistem, i shohim i prekim dhe paramendoni përtej nesh gratë dhe vajzat mund të mos jenë në dijeninë e mjaftueshme kur shkojnë dhe drejtohen apo nuk dinë ku të drejtohen sa u përket çështjeve të ndjeshme sikur shëndeti seksual dhe riprodhues”, ka përfunduar ajo.