Avokati Arianit Koci, ka bërë të ditur se një çift kosovar është ndaluar sot në hyrje të Serbisë dhe është kontrolluar në detaje.
Sipas Kocit, çifti s’i ka deklaruar stolitë e arit, e cila kishte vlerën mbi 10 mijë euro e që është kufiri i lejuar.
“Pasi nuk e kanë deklaruar pajën e nuses (stoli ari), e cila kishte vlerë mbi kufirin e lejuar, janë mbajtur dhe ari është konfiskuar deri në vendim të gjykatës”.
“Nesër do të paraqitën para gjykatës serbe, e cila e ka kompetencë territoriale kufirin ku janë ndalur”, shkroi Koci.
Ai tutje bëri thirrje që qytetarët të kenë kujdes kur kalojnë nëpër Serbi, pasi kontrollet kufitare janë shtuar ndjeshëm.
“Çdo udhëtar që mban me vete më shumë se 10.000 € për person – në para të gatshme ose sende me vlerë – duhet ta deklarojë në hyrje të Serbisë (lexoni me kujdes udhëzimet për paratë dhe gjërat me vlerë, të vendosura në hyrje dhe dalje të pikave kufitare)”.
“Mosdeklarimi sjell konfiskimin e përkohshëm të shumës ose sendeve dhe hapjen e procedurave gjyqësore. Nëse disa raste, kërkohet të dëshmohet prejardhja e parave ose paraqitja e faturave të sendeve me vlerë”, tha ai.