Avokati Pallaska: Specialja ka vërtetuar se pretendimet e Dick Martyt ishin trillime

Avokati Pallaska: Specialja ka vërtetuar se pretendimet e Dick Martyt ishin trillime
Avokati Dastid Pallaska, ka folur në lidhje me iniciativën e Kuvendit të Shqipërisë ndaj raportit të Dick Marty, ku për shkak të këtij të fundit Këshilli i Evropës kishte miratuar një rezolutë mbi të cilën ishte themeluar Gjykata Speciale, e cila do t’i hetonte ‘krimet’ e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Pallaska në FIVE në RTV Dukagjini ka thënë se ai nuk mund ta komentojë procesin politik, por sipas tij, janë duke ndodhur disa keqkuptime që nuk i bëjnë mirë askujt.

“Nuk bëhet fjalë për një kundër-rezolutë, thjeshtë është një rezolutë e re e cila do të përfundojë një proces, i cili ka nisur me rezolutën me të cilën është miratuar raportit i Dick Marty-it”.

“Atë që po kërkon Shqipëria është se, me rezolutën e re të konstatohen përfundimet e një hetimi penal disa vjeçar i cili ishte pasojë e pretendimeve të raportit të Marty-it”.

Sipas Pallaskës, dy hetime janë zhvilluar për t’i vërtetuar pretendimet e raportit të Dick Marty-it, ku shumica e pretendimeve të atij raporti ishin të pa vërteta.

“Task Forca e Speciale Ndërkombëtare dhe Prokuroria Speciale e Kosovës, shumicën e pretendimeve të raportit të Dick Marty-it i kanë vërtetuar se ishin trillime”, ka thënë Pallaska.

Ndër të tjera, Pallaska ka treguar se Shqipëria ka të drejtë të dijë se ku është shkuar procesi i cili e kishte akuzuar se në territorin e saj janë bërë krime makabere që sipas tij, ajo kishte bërë edhe ndryshime ligjore për t’i lejuar këto hetime.

“Shqipëria ka të drejt pas përfundimit të hetimeve që të kërkojë një përmbyllje të gjithë këtij procesi politik me një rezolutë në KiE, ku do të konstatohen rezultatet e hetimeve penale të udhëhequra nga institucionet e pavarura që janë krijuar me qëllim të përmbylljes së këtyre hetimeve”, ka përfunduar ai.

Related Articles