Avokatja e ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, Venkateswari Alagendra po kërkon që përmes Dhomave të Posaçme të Apelit në Gjykatën Speciale t’ia sigurojë lirimin nga paraburgimi klientit të saj.
Ajo ka dërguar parashtresa në gjykatë me kundër-argumente ndaj pretendimeve të Prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit ndaj Krasniqit.
Njëra ndër pikat ku është fokusuar ajo është “përsëritja e veprave penale”, që rëndom përdoret si argument nga Prokuroria në rast të lirimit të ndonjë të pandehuri nga paraburgimi.
“Duke zbatuar testin e duhur për faktet, neni 41 (6) (b) (iii) është i kënaqur vetëm nëse ekziston rreziku që z. Krasniqi të përsërisë aktakuzën, pra ndaj persekutimit, burgimit, torturës, akteve të tjera çnjerëzore, vrasje ose zhdukjen me forcë ose krimet e luftës të arrestimit arbitrar, keqtrajtimit, torturës ose vrasjes. Vetëkuptueshëm nuk ka. Nuk ka konflikt të vazhdueshëm të armatosur ose sulm të përhapur / sistematik ndaj një popullate civile. Ky interpretim nuk do të asnjanonte nenin 41 (6) (b) (iii), meqenëse juridiksioni i DSK nuk është i kufizuar në krimet ndërkombëtare”, thotë Alagendra në parashtresat e saja.
Ajo tutje thotë se gjyqtari i Procedurës Paraprake dhe Prokuroria e Specializuar gabuan “krejtësisht” kur konstatuan se Krasniqi mund t’i përsërisë krimet e supozuara dhe përmendura në aktakuzë.
Alagendra përmend edhe kohën e kaluar në paraburgim të Jakup Krasniqit, e cila po i afrohet 365-ditëshit, si dhe afatet e pasakta të dhëna nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për të nisur gjykimi.
Sipas saj, qëndrimi në paraburgim për një kohë kaq të madhe bie ndesh me parimin e prezumimit të pafajësisë.
Avokatja e Krasniqit tregohet shumë e ashpër me Prokurorinë dhe Gjykatën, duke vënë në pah se ish-zëdhënësi i UÇK-së është 70-vjeçar dhe ai nuk mund t’i transmetojë dikujt informacione apo të komunikojë me të edhe nën masën e kushteve.
Sipas argumentimit që ajo bën, tanimë Specialja paraburgimin e Krasniqit e ka shndërruar në “rregull” dhe jo në “përjashtim”, shkruan tutje lajmi.net.
“DSK u krijua për të mbrojtur të drejtat themelore dhe për të siguruar procedime të drejta penale, përfshirë rregullimin e paraburgimit. Paraburgimi i vazhdueshëm i z. Krasniqi duhet të justifikohet në bazë të meritave të tij individuale. Arsyetimi i rrallë në Vendimin e kundërshtuar është i pamjaftueshëm për të justifikuar vazhdimin e ndalimit të një burri 70-vjeçar në pension, i cili supozohet i pafajshëm dhe i cili tashmë është burgosur për 8 muaj pa e parë personalisht familjen e tij. Nëse mundësia spekulative që z. Krasniqi mund t’i transmetojë dikujt një informacioni pavarësisht se i ka vënë kushte të rrepta, është e mjaftueshme për të mohuar lirimin e përkohshëm, atëherë paraburgimi ka pushuar së qeni përjashtim dhe është bërë rregull. Z. Krasniqi duhet të lirohet”, ka shkruar ajo në apelin e saj.
Vlen të përmendet se apeli i Krasniqit është pranuar pjesërisht nga Apeli i Speciales.
Pjesa e pranuar e apelit të ish-zëdhënësit të UÇK-së ka të bëj me garancinë e dhënë nga Policia e Kosovës se ajo është e gatshme të monitorojë kushtet nën të cilat pranohet lirimi nga paraburgimi.
Lajmi.net raportoi dje se drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, nuk ka dhënë garancë të mjaftueshme për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, dhe se për këtë ai mund të merret në pyetje nga Gjykatësi Paraprak i Speciales, i cili do ta pyes atë në detaje për kapacitetet e forcës policore të shtetit të Kosovës.