Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nga 884 mostrat, të cilat siç tha, i ka vërtetuar, 87% e tyre tregojnë se ka probleme në matje të njehësorëve elektrik.
Përmes një video të shpërndarë në llogarinë e tij në Facebook, ai pyeti se nëse devijimet po ekzistojkan, pse është dashur që qytetarët të faturohen me çmim të shtrenjtë të energjisë.
“Nëpërmjet disa artikujve të sponsorizuar, KESCO paska reaguar lidhur me konferencën që e mbajtëm sot për problemet me njehsorë elektrik. Por, reagimi i tyre nuk po e mohon problemin! Në fakt po e vërteton atë. Sepse vetë thanë se mund të ketë devijime. Pra, devijimet po ekzistojkan edhe sipas tyre”.
“Por, nga 884 mostrat të cilat unë personalisht i kam vërtetuar, 87% e tyre tregojnë se ka probleme në matje. Pra, nuk po flasim për gabim. Po flasim për një dështim sistemik. Tani pyetja është shumë e thjeshtë: nëse devijimet po ekzistojkan, pse është dashur që qytetarët e Republikës së Kosovës të fakturohen me çmim të shtrenjtë të energjisë në kohën kur sipas Zyrës së Rregullatorit të Energjisë është dashur të fakturohen me çmim të lirë?”, deklaroi ai.
Mes tjerash, ai theksoi se shumica e familjeve tona e presin orën 22:00, atëherë kur fillon tarifa e lirë.
“Shumica e familjeve tona e presin orën 22:00, atëherë kur fillon tarifa e lirë, për me lëshu bojlerin, me lëshu nxejmjen, me i la enët dhe me i la rrobat. Pra, ky është skandali. Shumica e këtyre familjeve janë vjedhur. Prandaj pyetja është e thjeshtë: KESCO duhet me tregu qartë se sa qytetarë janë manipuluar, sa është kostoja e këtyre manipulimeve dhe se kur do të kompenzohen këta qytetarë për këto manipulime?”
“Nuk mjaftojnë artikujt e sponsorizuar në media. Nuk mjaftojnë arsyetimet. Unë nuk do të ndalem me kaq. Do t’i ftoj organet për hetim. Do të kërkoj përgjegjësi. Do të kërkoj kompensim për qytetarët e Kosovës dhe këtë do ta bëj menjëherë. Prandaj i bëj thirrje Prokurorisë Speciale që të merret me këtë rast”, shtoi Azemi.
