Pas tërheqjes së serbëve nga të gjitha institucionet e Kosovës, Emir Azemi, ish-nënkryetar i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, ka thënë se vendi gjendet në një bllokadë politike, e cila kërkon zgjidhje.
Sipas tij, funksionimi i kuvendeve komunale është në pikëpyetje.
“Funksionimi I kuvendeve komunale është në pikëpyetje sepse nuk njihet një akt I dorëheqjes kolektive. Kuvendi nuk mund të shpërbehet me dorëheqjen e anëtarëve të kuvendit komunal, ai shpërbëhet në tri rrethana: Nëse nuk miratohet buxheti, nëse nuk është funksional për gjashtë muaj ose nëse nuk miratohet statuti… Mendoj se për momentin jemi në një bllokadë politike, e cila kërkon një zgjidhje politike”, ka thënë Azemi në Info Magazinë.
Ai tha se aktualisht vendi gjendet në një ngërç sepse nëse shpallen tani zgjedhjet për kryetar të komunave, atëherë, sipas tij, shtrohet pyetja se para kujt do të betohen këta.
“Zëvendësimi mund të bëhet, nuk e di sa lejohet, kjo mbetet pikëpyetje e madhe se a mund të zëvendësohen… Kemi një proces të legjitimitetit, është në pikëpyetje legjitimiteti sepse këtu janë shumica serbë dhe nëse nuk marrin shumica pjesë në votim, atëherë do të zgjidhet dikush me pakicë të votave shqiptare në krye të kësaj komune”, ka shtuar ai.