Babai dorëzon në Polici pistoletën që dyshohet se djali ia drejtoi në ballë nënës në Kaçanik

Babai dorëzon në Polici pistoletën që dyshohet se djali ia drejtoi në ballë nënës në Kaçanik

Një zhvillim i ri ka dalë nga rasti i dhunës në familje që tronditi Kaçanikun, ku djali dyshohet se kishte sulmuar dhe kërcënuar prindërit e tij. Këtë herë, në Polici është dorëzuar arma me të cilën ai dyshohet se kishte kërcënuar nënën.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rreth orës 18:00, në Stacionin Policor në Kaçanik është paraqitur I. B. 68 vjeçar, i cili ka dorëzuar një çantë të zezë që kishte gjetur në shtëpinë e tij në rrugën “Qamil Ilazi”.

Sipas deklarimit të tij, pasi e kishte hapur çantën kishte gjetur brenda një pistoletë me ngjyrë të zezë, një thikë me këllëf, ndërsa menjëherë i kishte dërguar në Polici.

Gjatë intervistimit, ai ka deklaruar se bashkëshortja e tij i kishte treguar se dy ditë më parë djali i tyre, J. B. 33 vjeçar, ia kishte drejtuar të njëjtën armë në ballë, duke e kërcënuar.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se arma, së bashku me një karikator pa fishekë, është sekuestruar si provë materiale.

Lidhur me rastin është intervistuar edhe J. B., i cili aktualisht ndodhet në Qendrën e Mbajtjes për rastin e mëparshëm të sulmit dhe kanosjes ndaj prindërve, por gjatë intervistimit ai ka mohuar se pistoleta ishte e tij.

Me urdhër të Prokurores kujdestare është iniciuar edhe rasti për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar pronësinë e armës dhe rrethanat në të cilat ajo është përdorur.

Related Articles