Babai rrah djalin e tij, 17-vjeçari e denoncon në Polici

Babai rrah djalin e tij, 17-vjeçari e denoncon në Polici

Telashet familjare janë të shpeshta, ku anëtarët përleshen mes vete apo pësojnë nga kryefamiljari. E këto zënka shpesh herë kalojnë edhe muret e shtëpisë, duke u nevojitur kështu ndërhyrja e Policisë së Kosovës për të zgjidhur problemet.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në një familje në fshatin Hajvali të Prishtinës, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj djalit të tij të mitur.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur në oborrin e shtëpisë, ku pas një konflikti verbal, situata ka eskaluar në dhunë fizike.

Si pasojë e kësaj, 17-vjeçari ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital. Ndërkohë rastin e ka denoncuar edhe në Polici, ku ka rrëfyer në detaj gjithë atë që ka ndodhur.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, ndaj 44-vjeçarit është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.

Related Articles