Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, është parë në ambientet e zyrës së Lidhjes Demokratike të Kosovës pas një konference për media, ku është dëgjuar duke diskutuar me deputeten Jehona Lushaku-Sadriu.
Më vonë, përmes një shkrimi në Facebook, Bahtiri ka thënë se veprimi i tij është bërë në konsultim me kryeministrin Albin Kurti dhe se qëllimi i vizitës ka qenë kërkimi i nënshkrimeve për çështjen e presidentit.
“Mirëmbrëma të dashur qytetarë! E di se jeni duke e përcjellë me vëmendje situatën aktuale në Kuvend, prandaj e ndjej obligim moral që t’ju jap sqarim. Me konsultim paraprak me kryeministrin Kurti, shkova në vendin ku po mbahej konferenca për shtyp e LDK-së që t’i kërkoj nënshkrimet në mënyrë që sa më shpejt të gjejmë zgjidhjen për çështjen e Presidentes. Nëse përnjëmend i kanë ato nënshkrime, le t’i japin, e mos t’i mbajnë “në ajër”, mos të luajnë me popullin e Kosovës. Mjaft është mjaft! Ne po bëjmë të pamundurën që ta zgjedhim Presidenten sonte, ndërkohë që ata bëjnë teatër, me një letër nënshkrimesh në të cilën figuron data 25 prill e jo 27 prill, dhe në të cilën nuk ka as emër kandidati, as vulë, e as protokollim. Ky popull nuk është analfabet. Sheh, din dhe kupton. Ndërsa këtë opozitë, si çdoherë, do ta ndëshkojë”, tha ai.
