Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mefail Bajqinovci, lidhur me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, ka thënë se është më mirë të dizajnohet nga Qeveria e Kosovës.
Deputeti i LVV-së ka theksuar se një ndërhyrje e Brukselit zyrtar në këtë çështje mund të prekë pjesë të Kushtetutës së Kosovës, andaj, sipas tij, është më mirë të dizajnohet nga vendasit.
“Unë mendoj që më së miri do të ishte që të dizajnohet nga vendorët në këtë rast nga Qeveria e Kosovës dhe jo të sillet Asociacion apo diçka tjetër, e cila mund të prekë ndoshta edhe pjesë të tjera të Kushtetutës së Kosovës siç ka pasur edhe më herët”, ka deklaruar Bajqinofci në Debat Plus.
Ai nuk ka pohuar se është kundër draftit të propozuar nga evropianët, por ka theksuar se është për një dizajnim të Asociacionit në bazë të Kushtetutës së Kosovës.
Ai ka shtuar se nëse Brukseli thotë se kjo është një çështje e brendshme për Kosovën, atëherë duhet të lejohet Qeverisë së Kosovës të ketë një rol më të madh në procesin e dizajnimit të Asociacionit.
“Jo nuk e thashë këtë, por me vetë faktin që Brukseli thotë se është çështja e juaja, është çështje e brendshme e Kosovës Asociacioni, atëherë të na lejohet që ne ta bëjmë vetë. Unë po flas atë që e kemi dëgjuar nga Brukseli, sepse Brukseli nuk po është i gatshëm ta detyrojë Serbinë t’i nënshkruar komplet dokumentin, të cilin e kemi parë. Në rast se Asociacioni qenka problem i brendshëm, atëherë t’i lejohet Qeverisë të Kosovës ta dizajnojë vetë”, ka deklaruar Bajqinovci