Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, bashkë me sekretarin e kësaj partie, Imri Ahmetin, kanë pritur në takim përfaqësuesit e shoqërisë civile, me të cilët tha se kanë folur për tejkalimin e ngërçit politik në konstituimin e Kuvendit.
Bajrami tha se propozimi për Qeveri kalimtare është zgjidhje në situatën kur partia e parë po dështon t’i bëjë numrat për konstituimin e Kuvendit dhe rrjedhimisht edhe themelimin e Qeverisë, “sikurse është fakt se as partitë e deridjeshme opozitare nuk i kanë numrat për formim të Qeverisë”.
“Edhe në këtë takim kemi treguar që është në dorën e partisë së parë ta bëj konstituimin e Kuvendit, për me tepër kemi përsëritur qëndrimin tonë për zgjidhjen bllokadës përmes propozimit tonë për Qeveri Kalimtare”.
“Propozimi për Qeveri kalimtare është zgjidhje në situatën kur partia e parë po dështon t’i bëjë numrat për konstituimin e Kuvendit dhe rrjedhimisht edhe themelimin e Qeverisë. Sikurse është fakt se as partitë e deridjeshme opozitare nuk i kanë numrat për formim të Qeverisë”, tha Bajrami.
Tutje, ajo u shpreh se për të dalë nga situata aktuale politike, vendit i duhet një qeveri kalimtare, me detyra të qarta për të përgatitur vendin për zgjedhje pas një periudhe të dakorduar mes partive politike.
“Ne falënderuam shoqërinë civile për kontributin e tyre dhe përpjekjet për të ndihmuar edhe në këtë situatë”, tha ajo.