Bajrami: Askush mbi ligjin, organet e drejtësisë të zbatojnë Kushtetutën

Bajrami: Askush mbi ligjin, organet e drejtësisë të zbatojnë Kushtetutën

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar së fundmi pasi ministri në detyrë i Financave Hekuran Murati, tha se “Gjykatësit në vend se të lexonin statuset në Facebook të deputetëve të opozitës, do të mjaftonte që tre gjykatësit e Supremes të lexonin Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë çështje, që të mos bëheshin horë kaq publikisht me vendime absurde si ky për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për Arkat Digjitale Fiskale”.

Bajrami, përmes një postimi në Facebook, përmendi ligjet të cilat nuk lejojnë ushtrimin e dy poztiva deputet dhe ministër në të njejtën kohë.

Dhe në këtë rast, një Qeveri në dorëheqje nuk mund të miratojë as strategji e as koncept dokument.

Postimi i plotë:

Disa sqarime për deputetët që po kryjnë vepra penale duke mbjtur të uzurpuara pozitat qeveritare

E para, lëndë në Gjykatë Kushtetuese mund të dërgojnë vetëm deputetët që kanë fituar mandatin, që janë certifikuar, që janë betuar dhe që VOTOJNË në Parlamentin e Kosovës.

E thjeshtë, nëse nuk je deputet nuk mund votosh në Parlament.

Ligji dhe Kushtetuta e kanë kufizuar ndërsa Gjykata Supreme e ka sqaruar përfundimisht se deputeti nuk mund të jetë në dy funksione.

E dyta, Kushtetuta në nenin 70 e thotë se mandati i deputetit fillon në ditën kur certifikohen zgjedhjet. S’je deputet nëse s’ke bërë betim, s’mund të jesh deputet nëse je i emëruar anëtar i Qeverisë.

E treta, Neni 26 i Ligjit për Qeverinë e thotë qartë se “Në rast se anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i njëjti duhet të jap dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve”.

E katërta dhe po aq e rëndësishme: Qeveria në dorëheqje NUK lejohet të miratojë as STRATEGJI dhe madje as KONCEPT DOKUMENT.

Pra, me Ligj që e kanë miratuar e hartuar vetë, e kanë ndalu të miratojnë dokumente që janë më pak të rëndësishme se aktet ligjore e nënligjore.

Duke e bllokuar Kuvendin e Kosovës, duke rënduar jetën e qytetarëve për çdo ditë, deputetët e Vetëvendosjes po sfidojnë rendin ligjor e kushtetues të Kosovës.

Duke e ditur se po shkelin ligjet dhe kushtetutën dhe rrjedhimisht po kryejnë vepra penale kanë nisur fushatën e viktimizimit dhe propagandës se gjyqësori po përgatit arrestimin e “ministrave” në llogari të partive tjera.

U bëj thirrje edhe një herë organeve të drejtësisë të veprojnë, të zbatojnë ligjin dhe Kushtetutën dhe të vlejë parimi për të gjithë: ASKUSH MBI LIGJIN!/GazetaEnigma/

Related Articles