Bajrami e akuzon Muratin për korrigjim të Raportit të Auditimit, ZKA mohon një gjë të tillë

Bajrami e akuzon Muratin për korrigjim të Raportit të Auditimit, ZKA mohon një gjë të tillë

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka akuzuar sërish ministrin e Financave, Hekuran Murati, lidhur me vlerën 31 milionë euro për shpenzim për karburante, duke thënë se është korigjuar Raporti i Auditimit për vitin 2023, dhe se sipas saj, në këtë ka gisht ministri Murati.

“Sapo i pranove në e-mail shkresën,  vendimin dhe Raportin e Auditimit për vitin 2023, të korrigjuar. Për informatën e të gjithëve këtë raport e ka pasë si draft Hekuran Murati dhe krejt ekipi i tij, atëherë nuk i kanë vërejt gabimet. Sot, më shumë se kurrë duhet të ngritemi kundër kapjes së institucioneve të pavarura. Nëse këta arrijnë me i modifiku raportet e ZKA-së, dy muaj pas publikimit, mundemi me marrë me mend se çka janë në gjendje të bëjnë me raportet që i shkruajnë vetë, siç është ai i shpenzimeve vjetore”, ka shkruar Bajrami.

Megjithatë, Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës doli shpejrë me një sqarim, duke thënë se Auditorja e Përgjithshme dhe Zyra Kombëtare e Auditimit sigurojnë se ky “gabim teknik” nuk ka pasur ndikim për nga aspekti i auditimit në raport, si dhe në opinionin e auditimit për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Ndër tjera, aty theksohet se sipas metodologjisë së Zyrës Kombëtare të Auditimit në tri vitet e fundit shifra për shpenzimet e karburantit është e përmbledhur.

“Sipas dëshmive të auditorit, vlera e korrigjuar për 2023 për karburante përfshin shpenzimet për vetura në vlerën 10,471,000 €, naftën për ngrohje qendrore 7,590,000 €, mazutin 833, 000 €, derivatet për gjeneratorë 520,000 €, dru 8,288, 000 € si dhe vaj 208, 000 €”, thuhet në reagim.

Poashtu, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) përmes këtij sqarimi njofton opinionin publik se në Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2023 gjatë procesit të përgatitjes teknike është lëshuar një gabim, ku në faqen 42 të raportit përkatësisht te kategoria “Mallrat dhe Shërbimet” kanë mbetur të dhënat nga Raporti Vjetor i Auditimit për vitin 2022.

“Me qëllim të informimit të drejtë dhe të saktë, ZKA-ja sqaron se në faqen 42 përkatësisht te shënimi “Mallrat dhe Shërbimet” ku është bërë përshkrimi i zërave kryesorë që përbëjnë shpenzimet e kësaj kategorie, të dhënat e paraqitura nuk paraqesin gjendjen sipas të dhënave nga Raporti Vjetor Financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023”.“Me vendim të Auditores së Përgjithshme është korrigjuar Raporti Vjetor i Auditimit për vitin 2023 në faqen 42, te paragrafi 2 janë bartur të dhënat e korrigjuara të cilat përkojnë me të dhënat e sakta me Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës 2023, përkatësisht, shënimi 28 “Mallrat dhe shërbimet” si në vijim: Zërat kryesor në këtë kategori të cilat përfshijnë pjesën më të madhe të shpenzimeve janë: shërbimet kontraktuese tjera me 70,927,000€, furnizimet mjekësore 61,714,000€, shpenzimet e karburantit dhe ngrohjes 27,910,000€, blerja e librave 514,000€, shpenzimet e qirasë 11,495,000€ etj”.

Related Articles