Ish-ministrja e Financave dhe anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryetarit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), Ymerr Fejzullahu, i cili ka thënë se qytetarët mund të zgjedhin furnizues të tjerë për energjinë elektrike, raporton Gazeta “Enigma”.
Sipas Bajramit, kjo deklaratë është një tallje e hapur me qytetarët, duke shtuar se është “çmimi i energjisë elektrike ai me të cilin qytetarët dhe bizneset nuk po pajtohen”.
“Me të vërtetë është tallje me qytetarët deklarata e kryetarit të Bordit të ZRRE-së, sepse është pikërisht çmimi i energjisë elektrike ai me të cilin qytetarët dhe bizneset nuk po pajtohen. E kryetari i Bordit të ZRRE-së paska thënë: “Gjejeni rrymën vetë me lirë dhe blejeni”, tha Bajrami ndër të tjera.
Ajo ka akuzuar institucionet për mosveprim dhe për lejimin e një sistemi ku qytetarët detyrohen të paguajnë çmime të fryra për energjinë elektrike.
“E derisa ZRRE po tallet me qytetarët, qeveritarët nuk kanë nxjerrë asnjë zë për çështjen që do të prekë xhepin e secilit dhe do ta dëmtojë rëndë ekonominë e vendit tonë.” – tha Bajrami.
Bajrami ka ngritur dy pyetje të cilat, tha ajo, kërkojnë përgjigje të menjëhershme: “Për kë po punon Qeveria/ZRRE-ja? A po lulëzon mafia energjetike në Kosovë?”