Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, iu është kundërpërgjigjur ashpër ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, duke e akuzuar për shpifje dhe mbrojtje të interesave të kompanive të dyshimta në sektorin e energjisë.
Bajrami përmes një postimi në Facebook, deklaroi se Murati po fsheh të vërtetën pas një tenderi prej 137 milionë eurosh, i cili sipas saj është iniciuar pa asnjë studim fizibiliteti dhe me procedura të mbyllura, njofton Gazeta Enigma.
“Z. deputet që mban jashtëligjshëm pozitë ministri, ky tender ishte pa përshkrim teknik profesional dhe do të fitohej me negociata pas dyerve të mbyllura!”, shkroi Bajrami.
Bajrami gjithashtu përmendi kompaninë NOA, e cila me vetëm dy punëtorë ka arritur qarkullim mbi 160 milionë euro gjatë vitit 2024, “kryesisht nga tregtia me energji elektrike”, tha ajo.
Deputetja e LDK-së kërkoi hetim të plotë për të gjithë zinxhirin vendimmarrës në sektorin e energjisë dhe përmendi rastin e ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ndaj të cilit tashmë ka nisur një proces gjyqësor për tregti me energji./GazetaEnigma/
Postimi i plotë:
“Deputet Murati, mos shpif!
Z. Deputet që mban jashtëligjshëm pozitë ministri, e para, unë nuk jam gëzuar për pezullimin e tenderit, por kam qenë kundër që nga fillimi i kësaj kurdisjeje të turpshme të tenderave që po bëni vazhdimisht. Pra, ky tender 137 milionë eurosh ishte pa studim fizibiliteti, pa përshkrim profesional teknik, dhe do fitohej me negociata pas dyerve të mbyllura!
Tjetra, askund s’kam përmend kompani lokale, prapë paske shpifë sepse ju vetëm këtë dini ta bëni.
z. deputet që mban jashtëligjshëm pozitë ministri, po të kishe një fije dinjiteti, do të flisje hapur për kompaninë NOA, që me dy punëtorë ka mbi 160 milionë euro qarkullim në 2024, kryesisht nga tregtia me energji elektrike.
z. deputet që mban jashtëligjshëm pozitë ministri, kryetari juaj, deputeti Kurti, ka folur për EFT me Vuk Hamoviç po ankandet e trasmetimit të energjisë po fitohen çdo ditë nga kjo kompani, ndërsa asnjëri nga ju nuk përgjigjeni në pyetje.
Nuk janë kundërshtimet e mia ato që kanë krijuar dhe rritur kompani si NOA.
Janë politikat tuaja, që po i hapin rrugë abuzimeve dhe po i detyrojnë qytetarët të paguajnë çmime të larta të importit të energjisë, ndërkohë që tregtarët e energjisë bile edhe ata me origjinë serbe po përfitojnë në kurriz të popullit.
Në vend që të shpifësh, shpjego pse tenderi u bë pa studim fizibiliteti, si negociohen kushtet për pasuri shtetërore me 6 kompani, interesat e kujt po mbrohen.
Ky tender është hapë me 22 janar, është shty disa herë dhe tash është pezullu.
Jo, fajet i keni ju dhe njerëzit që i keni çu në KEK që s’po punojnë për qytetarë po për mafinë energjetike.
Njëri prej tyre, z. Nagip Krasniqi, po jep llogari në gjykata ku dje nisi procesi gjyqësor ndaj tij për tregti me energji elektrike.
Kërkojmë hetim të tërë zingjirit vendimmarrës në energji!”