Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka komentuar ato që kryeministri Albin Kurti i ka cilësuar si arritje të Qeverisë së tij, në 1 vit e gjysmë qeverisje.
Kurti tha se Kosova shënoi rritjen më të madhe ekonomike në rajon vjet, por sipas Bajramit, kjo s’është meritë e Qeverisë, meqë viti 2021 ishte vit pospandemik.
Për pakon e Ringjalljes Ekonomike, Bajrami i ka kërkuar që t’i publikojnë listat e përfituesve.
“Për këto qindra miliona euro të shpërndara vetëm ju dhe ministri Murati jeni në dijeni sepse në asnjë raport nuk figurojnë. Për qudi asnjëherë nuk publikuat asnjë listë të përfituesëve apo “50 top përfituesëve”. Publkoni listat e përfituesëve, sepse transparenca është veti e domosdoshme e qeverisjes së mirë, një prej kartave me të cilat i keni ardhë në pushtet”, ka shkruar Bajrami.
Ndërkohë, për rritjen e të hyrave të Doganës, ATK’së dhe eksporteve, deputetja e LDK’së ka thënë se këto janë rritur shkaku i rritjes së çmimeve, duke ia kujtuar se Kosova është e para për inflacion në rajon.
Bajrami ka përmendur edhe Marrëveshjen me MCC’në që Kurti e konsideroi sukses të Qeverisë.
Sipas saj, meritore për këtë marrëveshje ka qenë Presidentja Jahjaga e Qeveria Mustafa.
“Nuk je meritor për këtë, e ke gjetë të gatshme. Bëhu i guximshëm dhe thuaj faleminderit ish presidentes Jahjaga. Qeveria Mustafa i ka plotësuar të gjitha kushtet e vëna nga MCC-ja. Qeveria juaj e ka vetëm një “meritë” që e ka ndryshu destinimin e fondeve prej projektit të gazifikimi në bateri”, ka shkruar ajo.
Për një prej arritjeve që përmendi Kurti, Bajrami i ka thënë “bravo”. Bëhet fjalë për themelimin e Institutit për dokumentimin e krimeve të luftës.