Bajrami kritikon ashpër Qeverinë Kurti: Më e dështuara prej pasluftës

Bajrami kritikon ashpër Qeverinë Kurti: Më e dështuara prej pasluftës

Deputetja në ardhje e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë që qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje është “më e dështuara”, pasi Kosova “kurrë më e izoluar nuk ka qenë se në kohën e tyre”, duke listuar edhe ato që i quajti dështime të tyre.

“Qeveria e LVV-së, është e vërtetë që është qeveria e parë që ka përmbyllur një mandat të plotë, por është mëse e vërtetë se është qeveria më e dështuar prej pasluftë sepse, në Qeverinë e LVV-së: Kosova është nën sanksione, që katër vjet nuk kemi asnjë njohje, nuk kemi asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, dhe Kosova kurrë më e izoluar s’ka qenë”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

“Gjatë kësaj kohe, Kurti i ka lënë trashëgimi Kosovës Marrëveshjen e Brukselit, aneksin e Ohrit dhe ka pranuar draft-asociacionin e komunave me shumicë serbe që çon drejt federalizimit të vendit, apo thënë më mirë drejt defunksionalizimit të shtetit të Kosovës”.

Sipas Bajramit, edhe gjendja socio-ekonomike nuk ka qenë më e rëndë, duke përmendur rritjen e çmimeve dhe mungesën e politikave reformuese mes tjerash.

“Gjendja socio-ekonomike kurrë më e rëndë nuk ka qenë; gjatë këtij mandati Kosova ka përjetuar rritjen më të madhe të çmimeve që nga shpallja e pavarësisë, është rritur çmimi i energjisë elektrike dy herë dhe tani është në proces rritja për herë të tretë. Nuk janë rritur pagat, ato janë rritur vetëm për stafin politik, ndërsa për të tjerët rritja ka qenë pothuajse e pavërejtshme”.

“Nuk ka pasur zhvillim, nuk ka pasur asnjë politikë reformuese për të përmirësuar ambientin e biznesit, për më tepër shumica e institucioneve që janë të thirrura t’iu shërbejnë bizneseve kanë qenë jofunksionale pothuaj gjatë tërë mandatit si: OSHP, KPMM, AK, KNSH, etj.”.

“Investimet kapitale të nivelit qendror kanë qenë më të ulëtat në historinë e pasluftës, nëse marrim parasysh këtu edhe inflacionin që ka ndodhur. Nuk ka përfunduar asnjë projekt kapital, as ato që në fillim të mandatit ishin në gjysmë si: rruga për Mitrovicë, rruga për Pejë, rruga për Podujevë, rruga për Gjilan, rruga Doll-Gjakovë etj.”.

Related Articles