Bajrami: Kurti vulosi “tradhëtinë kombëtare” në marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit

Bajrami: Kurti vulosi “tradhëtinë kombëtare” në marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër siç thotë ajo ndaj fushatës linçuese ndaj saj.

Ajo e ka akuzuar Vetëvendosjen  për keqqeverisje, propagandë dhe bashkëpunim politik me Listën Serbe.

“Ju mashtrues dhe shpifës, që kurrë nuk e patët kurajon ta lexoni drejtë marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit ku Albin Kurti ka vulosur tradhtinë kombëtare, mendoni se unë brengosem për shpifjet e juaja? Që ku po ju them: Jo, asnjë brengë nuk e kam!””, ka shkruar Bajrami.

Në një postim të gjatë, Bajrami ka renditur një sërë momentesh të karrierës së saj politike për të kundërshtuar akuzat ndaj saj dhe partisë së saj.

Ajo tha se ka qenë pjesë e qeverive në periudha kur janë nënshkruar marrëveshje kyçe për shtetin, përfshirë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, Marrëveshjen e Uashingtonit dhe njohjen nga Izraeli, si dhe shkarkimin e ministrit serb Aleksandar Jabllanoviq. Bajrami theksoi se përkundër “gërmimeve të pushtetit”, ndaj saj nuk është gjetur asnjë shkelje.

Në reagimin e saj, ajo e akuzon Qeverinë Kurti se për pesë vjet në pushtet ka dështuar në çdo sektor dhe është zhytur në korrupsion, duke e përdorur Listën Serbe si “armik të përditshëm” për të mbuluar rezultatet e dobëta.

“Për pesë vjet qeverisje, a e keni lirë rrymën? A e keni liru bukën, vajin, sheqerin? A i keni luftu korrupsionin? A i keni shti hajnat në burg apo jeni bërë streha më e sigurt e tyre?”, shkruan Bajrami, duke renditur një varg pyetjesh kritike ndaj ekzekutivit.

Ajo e akuzon VV-në se ka bashkëpunuar me Milan Radojiçiqin, përfshirë votat në Kuvend për çështje institucionale, dhe se ka “faktorizuar” Listën Serbe më shumë se çdo qeveri para tij.

Sipas saj, videot dhe deklaratat e kaluara të zyrtarëve të VV-së janë prova e transformimit të tyre politik.

Bajrami shton se Qeveria Kurti ka dështuar të ndërtojë çerdhet, rrugët, investimet në arsim e shëndetësi dhe të luftojë korrupsionin. Ajo thotë se LVV-ja nuk e kishte njohur pavarësinë e Kosovës deri sa erdhi në pushtet, duke theksuar se Kosova është Republikë që nga viti 2008 dhe ka ushtrinë dhe kufijtë e garantuar nga NATO.

Në fund, nënkryetarja e LDK-së fton në ballafaqim politik me programe dhe jo me “profile fallce”, duke theksuar se qeveria aktuale do të largohet me votë.

“Dështimet nuk mund t’i mbuloni me propagandë. S’keni shpëtim. Do t’ju largojmë me votë”, përfundon Bajrami.

Related Articles