Bajrami, Kurtit: Mafia energjetike, korrupsioni dhe kapja e shtetit nuk lahen me patriotizëm të rrejshëm

Bajrami, Kurtit: Mafia energjetike, korrupsioni dhe kapja e shtetit nuk lahen me patriotizëm të rrejshëm

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, duke e cilësuar atë si të zhytur në korrupsion, keqqeverisje dhe kapje të institucioneve kyçe në sektorin e energjisë.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Bajrami e ka quajtur sistemin aktual të menaxhimit të energjisë në vend si një “mafi energjetike”, duke theksuar se institucione si Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), dhe Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) janë të dominuara nga familjarë dhe militantë të partisë në pushtet.

“Albin Kurti dhe partia e tij janë thellë në këtë rrjet të korrupsionit energjetik. Po mbushin xhepat e tregtarëve të energjisë ndërsa e kanë shkatërruar sektorin privat dhe po dëmtojnë rëndë interesat e qytetarëve,” ka shkruar Bajrami.

Deputetja e LDK-së ka ngritur gjithashtu shqetësime për rritjen e varësisë së Kosovës nga importi i energjisë, duke përmendur përfitimet e kompanive ndërmjetëse si EFT e biznesmenit Vuk Hamoviq dhe GEN-in, të cilin ajo e lidh me ambasadorin Martin Berishaj.

Në vijim të reagimit, Bajrami ka akuzuar kryeministrin për dhënien e mijëra tenderëve njëburimor dhe për zhvillimin e proceseve të dyshimta të prokurimit publik, përfshirë, sipas saj, negociata të zhvilluara në grupe private të komunikimit.

Ajo ka hedhur edhe akuza për lidhje të mundshme të Kurtit dhe bashkëpunëtorëve të tij me individë të përfshirë në trafik droge.

Një pjesë e veçantë e kritikës iu drejtua edhe qasjes së qeverisë ndaj situatës në veri të Kosovës.

Bajrami theksoi se “retorika patriotike nuk mund të fshehë dështimet konkrete në terren”, duke vlerësuar se kthimi i zyrtarëve serbë në institucionet e Kosovës është vetëm çështje kohe.

“Kosova ka humbur pesë vjet kohë nën qeverisjen tënde. Ke sjellë masa ndëshkuese nga BE-ja dhe e ke dëmtuar rëndë përkrahjen e aleatëve tanë më të rëndësishëm,” shtoi ajo.

Deputetja Bajrami ka kërkuar hetime të thelluara për ata që, sipas saj, kanë shkelur Kushtetutën dhe kanë përdorur pushtetin për përfitime personale.

“Nëse institucionet e drejtësisë dhe sigurisë funksionojnë, atëherë duhet të ndalojnë hyrjen në ndërtesën e Qeverisë nga ata që janë në shkelje të Kushtetutës,” përfundoi ajo.

Related Articles