Ish-ministrja e Arsimit gjatë Qeverisë Kurti 2, Hykmete Bajrami, tha se kryeministri Albin Kurti mund ta rrëzojë vetëm veten.
“Për besë, kurrkush përpos Albin Kurtit nuk po flet për ndaljen e kësaj qeverie”, tha Bajrami në Frontal të T7.
Ajo tha se “të vetmit që flasin për rrëzimin e Qeverisë Kurti, janë Qeveria Kurti”.
“Opozita nuk flet, sepse opozita nuk i ka numrat”, tha Bajrami.
“Qysh ka mundësi që tjerët të provojnë ta rrëzojnë Z. Kurti? Nuk kemi shansa me e rrëzu. Edhe me dashtë me e rrëzu sot, nuk kemi mundësi”, shtoi ajo.
Bajrami tha se fjalët e Kurtit se dikush mund ta rrëzojë, duhet të kuptohen si “sinjal që ai është duke mendu me u vetërrëzu”.
“Z. Kurti mundet me e rrëzu veten dhe sa herë që flet ai për një rrëzim potencial, ne duhet ta kuptojmë, ta marrim si sinjal që ai është duke mendu me u vetërrëzu sepse nuk po mundet t’i kryejë punët”, tha Bajrami.
Deputetja e LDK-së tha se Kurti njëherë “ka pasë dëshirë” të vetërrëzohet “dhe është vetërrëzu”. Kështu – thotë ajo – “nuk do të ishte kurrfarë befasie” që të ndodhë diçka e tillë “në një mëngjes”.