Bajrami: Po flitet për denigrim të Zonjës Haxhiu, unë besoj se këtë vet Kurti është duke e bërë

Bajrami: Po flitet për denigrim të Zonjës Haxhiu, unë besoj se këtë vet Kurti është duke e bërë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se mosvotimi i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit lidhet me qëndrime patriarkale të partive opozitare.

Bajrami e ka mohuar këtë arsyetim, duke theksuar se refuzimi i partive të tjera për ta votuar kandidaturën e Haxhiut nuk lidhet me gjini, por me mungesën e një marrëveshjeje politike dhe të votave të nevojshme nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Mosvotimi i Haxhiut nuk ka të bëjë me patriarkalizëm. Z. Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje duhet ta dinë se askush s’e ka për obligim ta votojë kandidatin e tyre pa marrëveshje politike”, tha Bajrami, duke shtuar se “VV-ja vetë nuk ka votuar kandidatë të partive të tjera në legjislaturat e kaluara kur nuk i ka pasur votat apo marrëveshje”, tha Bajrami në Info Magazine.

Ajo u shpreh se në vend të viktimizimit, Kurti duhet të sigurojë mbështetjen për kandidatin e tij ose të propozojë një emër të ri për të zhbllokuar situatën.

“Nëse Kurti s’i ka votat, le të bëjë marrëveshje ose le ta ndryshojë kandidatin. Ne nuk kemi obligim t’i japim votat për një propozim që s’është i yni”, përfundoi Bajrami.

Related Articles