Bajrami: Vjosa Osmani po tenton t’i japë kohë Kurtit

Bajrami: Vjosa Osmani po tenton t’i japë kohë Kurtit

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se vendi do të shkojë patjetër në zgjedhje, pasi sipas saj, asnjë parti politike nuk i ka 61 vota për të formuar qeverinë.

Ajo ka theksuar se kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani janë bashkë pasi sipas saj, kjo e fundit nuk ka qenë e interesuar t’i shmangë zgjedhjet, por përkundrazi i ka dhënë kohë Kurtit.

“E kemi balotazhin më 9 nëntor, në anën tjetër është i pashmangshëm procesi i zgjedhjeve nacionale sepse askush nuk i ka votat. Vjosa dhe Albini së bashku, u pa që janë bashkë sepse zonja doli dhe tha që detyrë e imja është që me i shmangë zgjedhjet, e si me i shmangë zgjedhjet?”, ka deklaruar Bajrami në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini.

“Kemi pritur që 9 muaj dhe askush nuk i ka 61 vota. Sikur Vjosa Osmani do të ishte me të vërtetë pro procesit të shmangies së zgjedhjeve, ajo do të dilte me një deklaratë në kohën kur LDK doli për qeveri të unitetit. Nuk ka pasur person që nuk e ka kritikuar idenë që e kemi propozuar ne. Vjosa Osmani nuk është e interesuar për zgjedhje, është e interesuar për t’i dhënë kohë Albin Kurtit. Kurti nuk është i interesuar për zgjedhje”, ka shtuar ajo.

Sipas Bajramit, afatet janë të përcaktuara qartë në Kushtetutë dhe nuk mund të zvarriten.

“Afate janë kushtetuese kur ka dikush që i ka numrat kur të gjitha partitë tregojnë që nuk i kanë numrat duhet me u shpallë data e zgjedhjeve edhe jo me thënë që Kurti nuk i ka numrat por të shohim mbase po ndodhë mrekullia dhe Kurti mund t’i ketë numrat brenda një afati të caktuar”, ka deklaruar Bajrami.

Related Articles