Bajrami: ZRrE ta respektojë vendimin e Gjykatës – Prokuroria të veprojë para 1 gushtit

Bajrami: ZRrE ta respektojë vendimin e Gjykatës – Prokuroria të veprojë para 1 gushtit

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), duke i bërë thirrje kësaj të fundit që të respektojë vendimin e Gjykatës Komerciale dhe ta pezullojë menjëherë vendimin për përjashtimin e rreth 1300 bizneseve nga shërbimi universal i furnizimit me energji elektrike.

Përmes një reagimi në Facebook, Bajrami ka theksuar se në rast të mosveprimit nga ZRrE, para datës 1 gusht duhet të ndërhyjë Prokuroria.

“ZRrE-ja duhet ta pezullojë vendimin për përjashtimin e rreth 1300 bizneseve nga shërbimi universal i furnizimit me energji elektrike, në përputhje me vendimet e Gjykatës, deri në vendimin përfundimtar. Përndryshe, nesër, para datës 1 gusht, Prokuroria duhet të zbarkojë në zyrën e ZRrE-së dhe t’i pyesë: për interesat e kujt po punojnë ata aty? S’ka rrugë tjetër. Pikë”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka bashkëngjitur edhe vendimin e Gjykatës Komerciale, i cili parasheh pezullimin e përkohshëm të vendimit të ZRrE-së për kalimin e bizneseve në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike.

Sipas këtij vendimi, masa e pezullimit do të mbetet në fuqi deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës për këtë çështje.

Related Articles