Ballkani vazhdon si i pamposhtur nën drejtimin e Karoglan, triumfon edhe ndaj Prishtinës

Ballkani vazhdon si i pamposhtur nën drejtimin e Karoglan, triumfon edhe ndaj Prishtinës

Një ndeshje shumë e fortë, me ritëm të lartë dhe katër gola të shënuar, është zhvilluar në stadiumin e qytetit në Suharekë, në kuadër të xhiros së 17-të të Superligës së Kosovës në futboll, ku Ballkani dhe Prishtina dhuruan një përballje të bukur dhe emocionale.

“Xhebrailat” vazhduan formën e jashtëzakonshme nën urdhrat e trajnerit kroat, për të fituar me rezultat 3-1 ndaj Prishtinës.

Para fillimit të takimit, atmosfera ishte veçanërisht emocionale. Në nderim të Dren Feratajt, i cili ndërroi jetë ditë më parë dhe ishte pjesë e stafit të FC Prishtinës, u mbajt një minutë heshtje.

Lojtarët e të dyja skuadrave, si dhe gjyqtarët e ndeshjes, dolën në fushë të veshur me fanella me fotografinë e tij. Klubi i Prishtinës e kujtoi Feratajn me mesazhin prekës: “Gjithmonë në zemrat tona, Dren”.

Prishtina ishte skuadra që kaloi e para në epërsi, kur Gentrit Salihu realizoi në minutën e 13-të, duke i dhënë avantazhin fillestar kryeqytetasve. Reagimi i Ballkanit ishte i shpejtë dhe konkret, me Bleart Tolaj që barazoi rezultatin në minutën e 22-të.

Vetëm nëntë minuta më vonë, Ballkani përmbysi rezultatin, pas një autogoli të Gentrit Salihut në minutën e 31-të, duke e çuar rezultatin në 2:1. Dominimi i vendasve u kurorëzua edhe me një gol tjetër në minutat shtesë të pjesës së parë, kur Valentin Serebe realizoi saktë nga pika e bardhë në minutën e parë shtesë, për 3:1.

Goli i shënuar nga penalltia ishte i 13-ti për Sereben në këtë edicion të Superligës, duke konfirmuar formën e shkëlqyer të sulmuesit dhe rëndësinë e tij për Ballkanin.

Pjesa e dytë ishte më e barabartë ku të dy skuadrat kishin raste shënimi, por që assesi s’i finalizuan.

Kësisoj, Ballkani vazhdon si lider i vetëm me 32 pikë, ndërsa Prishtina qëndron në pozitën e tretë me 27 sosh.

Related Articles