Ish-prokurorja e misionit EULEX në Kosovë, Maria Thuraja Bamieh, do të marrë dëmshpërblim mbi 400 mijë funta, pasi humbi punën e saj por fitoi rastin me qeverinë britanike, si sinjalizuese për korrupsion brenda misionit EULEX.
Për rastet korruptive, Bamieh në atë kohë (2015) pati folur ekskluzivisht për Klan Kosovën, duke shpjeguar se si sa ishte ajo në Kosovë i pati ditur dy raste për supozime për mito.
“ Sa isha në Kosovë unë kam ditur dy raste, njëri ishte rasti “Shpërthimi në Bill Clinton” dhe aty kishte supozime për mito”.
“Në rastin e Ilir Tolajt, kishte indikacione se do të paguhej një mito. Nuk e di a u çua ajo deri në fund sepse ne e zbuluam rastin dhe e raportuam atë”, ishte shprehur Bamihe.
Tutje, ajo në atë kohë ishte shprehur se besonte fuqishëm se personat e lartë në EULEX ushtronin ndikim në raste, siç tha ajo, “ndikim politik”.
“Shembull, unë po bëja ndjekjen ligjore të rastit të Ilir Tolaj dhe Bukoshit që u shpall i pafajshëm. Në atë kohë, sa po e zhvilloja rastin, ish-shefi i Misionit EULEX ishte i afërt me Bukoshin dhe po hanin darkë. Unë e di që Bukoshi ka qenë në takim me ish-shefin e Misionit të EULEX-it atë kohë”, ishte shprehur Bamieh, njofton Klankosova.tv.
Ajo, më tej pati thënë se s’ishte mësuar me këso lloj gjërash në Angli, teksa shtonte se misioni i EULEX-it nuk është mision politik, por mision ligjor dhe pyeste se pse duhet që zyrtarë të lartë të EULEX-it duhej të takoheshin me politikanë të lartë.