Banda “400 Mawozo” në Haiti e famshme për rrëmbime për shpërblim ka marrë peng të paktën 17 persona nga një autobus turistik.
Tetë nga pasagjerët thuhet se janë shtetas turq, tetë të tjerët janë nga Haiti dhe shoferi është nga Republika Domenikane.
Ata u rrëmbyen në të njëjtën zonë në të cilën një diplomat domenikan u rrëmbye muajin e kaluar jashtë kryeqytetit, Port-au-Prince. Diplomati u lirua pas katër ditësh.
Rrëmbimet për shpërblim janë rritur në Haiti në dy vitet e fundit.
Midis të huajve të rrëmbyer vitin e kaluar ishin 17 misionarë të krishterë nga SHBA dhe Kanada. Banda 400 Mawozo kërkoi 1 milion dollarë për lirimin e secilit prej tyre.
Më në fund, misionarët u liruan të gjithë pas katër muajsh në robëri, por nuk dihet nëse është dhënë shuma e kërkuar.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, Unicef, paralajmëroi javën e kaluar se gjysmë milioni fëmijë kanë humbur aksesin në arsim pasi 1700 shkolla u mbyllën në kryeqytet dhe zonën përreth për shkak të të shtënave mes bandave./Gazeta Enigma/