Një zjarr dhe një shpërthim i madh ka lënë të vdekur të paktën 49 persona dhe ka lënduar qindra të tjerë në një depo magazinimi pranë qytetit Chittagong, Bangladesh.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, qindra njerëz u mobilizuan për ta shuar zjarrin kur një numër i kontejnerëve të transportit shpërthyen në një zonë në Sitakunda.
Mendohet se në disa nga kontejnerët ruheshin lëndë kimike.
Zjarret industriale janë të zakonshme në Bangladesh, sipas BBC dhe shpesh fajësohen rregulloret e dobëta të sigurisë.
Shumë prej të lënduarve thuhet se janë në gjendje kritike dhe numri i të vrarëve pritet të rritet.
Spitalet në zonë janë të mbingarkuara, me turma njerëzish që presin në korridor për trajtim. Mjekët kanë apeluar për dhurim gjaku dhe disa nga të plagosurit janë transportuar me avion në kryeqytetin Dhaka.
Zjarri shpërtheu rreth orës 21:00 me orën lokale (15:00 GMT) të shtunën dhe qindra zjarrfikës, policë dhe vullnetarë mbërritën shpejt në vendngjarje.
Ndërsa ata u përpoqën të shuanin zjarrin, një shpërthim i madh tronditi vendin, duke përfshirë shumë nga shpëtimtarët në flakë dhe duke hedhur mbeturina dhe njerëz në ajër.