Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se ka thirrur në takim përfaqësuesit e degëve të bankave komerciale në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani Elezit.
Në komunikatën e policisë thuhet se në këtë takim është diskutuar situata e sigurisë, e cila u konstatua se është e qetë në rajonin e Ferizajt.
Megjithatë, në takim thuhet se është shtruar si çështje puna e sigurisë së degëve të bankave të këtij rajoni, ku është kërkuar që të shtohen masat për të parandaluar vjedhjet e grabitjet e tyre
“Është paraqitur nevoja që të shtohen aktivitetet dhe masat e policisë rreth degëve të bankave në komunat e rajonit në parandalim të incidenteve kriminale të vjedhjeve, vjedhjeve të rënda dhe grabitjeve”, ka njoftuar Policia.
Policia njofton se janë përcaktuar prioritetet e policisë rajonale për ditët në vijim dhe thotë se policia do të jetë e pa kompromis ndaj të gjithë atyre që kanë tendenca të cenojnë sigurinë dhe prishin rendin dhe qetësinë publike.