Klubi i Barcelona-s po kërkon të rinovojë kontratën me një prej talenteve më të spikatura në futboll, Ansu Fati-n. Kontrata e Fati-t përfundon në 2022 dhe klubi dëshiron ta rinovojë deri në 2026, duke përmirësuar edhe kushtet ekonomike.
Barcelona kërkon të afrojë edhe Erling Haaland-in, një tjetër super talent, por në ndryshim, Fati ka qenë pjesë e akademisë së saj dhe i rritur në klub. Mbi të gjitha shihet edhe si një lojtarë që mbahet afër edhe nga Lionel Messi. Kjo është një nga arsyet, se pse Mateu Alemany dhe Ramon Planes-i, nga bordi i klubit, po kërkojnë me ngulm rinovimin me Fati-n.
Kontrata aktuale, e cila zgjat deri në 2022, ka klauzolë lirimi rreth 400 milionë euro dhe nëse rinovon, atëherë klauzola e lirimit zgjatet edhe për dy sezone të tjera, deri në 2024, siç edhe e kërkon, Gestifute, kompania e Jorge Mendes-it, që ka në menaxhim lojtarin.
Barcelona, për shkak të krizës financiare të shkaktuar nga pandemia e Covid-19, ka vendosur të shkurtojë pagat, por në ndryshim, për Fati-n nuk do të ndodhi kështu, sepse rinovimi do t’i sjelli edhe rritje të pagës. Klubi e shikon sulmuesin, të ngjashëm me rastin e Kylian Mbappe-s, i cili shpërtheu te Monaco në moshën 19-vjeçare.