Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani ka thënë se rruga drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë nuk është ushtarake, por politike.
Këtë deklaratë ai e bëri në fjalimin e fundit informues në këtë detyrë para Komitetit Ushtarak të NATO-s dhe Këshillit të Atlantikut të Veriut në selinë e NATO-s, në Bruksel.
Barduani ndau vlerësimin e tij mbi situatën e sigurisë në Kosovë.
Ai me këtë rast theksoi angazhimin e qëndrueshëm të KFOR-it për stabilitet dhe në mbështetje të veprimeve diplomatike, me fokus të veçantë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit.
“Barduani theksoi gjithashtu – midis arritjeve të KFOR-it – forcimin e misionit, edhe përmes vendosjes së përkohshme të forcave rezervë, dhe bashkëpunimin e thelluar me bashkësinë ndërkombëtare, organizatat e sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura Serbe”.
Gjatë vizitës atje, ai u takua edhe me gjeneralin Seán Clancy, Kryetar i Komitetit Ushtarak të BE-së, me të cilin diskutoi bashkëpunimin e KFOR-it me operacionet EULEX dhe EUFOR Althea në Bosnje dhe Hercegovinë.