Natasha Kandiq, drejtoreshë e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, ka thënë se barrikadat në veri të Kosovës duhet të hiqen. “Nëse personi që i ka vendosur fizikisht nuk do ta bëjë, atëherë KFOR-i duhet ta bëjë këtë, me mbështetjen politike të Presidentit të Serbisë, i cili me këmbëngulje pretendon se nuk e di se kush i ka vendosur”, tha Kandiq.
Duke reaguar ndaj thirrjes së kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq, që, siç tha ajo, organizatat e shoqërisë civile të ngrejnë zërin për situatën në Kosovë, duke thënë se situata atje është “në prag të konfliktit të armatosur”, Kandiq thotë se presidenti i Serbisë, kryeministrja dhe kryetari i Kuvendit Popullor të Serbisë duhet të ndalojnë me deklarata dhe veprime jashtë njohurive publike, me të cilat inkurajojnë grupet dhe partitë ekstremiste të mblidhen për të shkuar në front.
“Mos i çmendni qytetarët, veçanërisht serbët në Kosovë për kthimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë së Serbisë në Kosovë, ndaloni me lojërat e rrezikshme politike – braktisja e institucioneve të Kosovës, ngrirja e mandateve, persekutimi i serbëve të Kosovës që nuk pajtohen me keqpërdorimet e institucionit të deputetëve. Largimi nga skena publike i drejtorit të zyrës për Kosovën, i cili me retorikën e tij helmuese turpëron çdo qytetar të denjë të Serbisë, do të ndihmonte në qetësimin e situatës. Prioritet është inicimi i një debati ekspertësh për propozimin gjermano-francez për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pa pjesëmarrjen e ‘patriotëve politikë’”, thekson Kandiq për “Danas”.
Sipas Kandiqit, kryeministri i Kosovës e ka obligim që të nisë pa vonesë procesin e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara.
“Ai bëri punë të mira për të eliminuar diskriminimin e Republikës së Serbisë ndaj shqiptarëve, kishte të drejtë të kërkonte respektimin e simboleve të Kosovës për të gjithë ata që jetojnë në atë vend, por tani le të tregojë se po lufton njëlloj për mirëqenien të serbëve dhe të joshqiptarëve të tjerë”, përfundoi Kandiq.