Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, mirëpriti në takim të ngrohtë dhe vëllazëror Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në vendin tonë, Petrit Malajn dhe zëvendësamasadoren Pranvera Teli.
Në fillim të takimit, Basha përgëzoi zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshin dhe ambasadorit i shprehu urimet më të përzemërta për këtë ngjarje të rëndësishme për shtetin shqiptar.
Gjatë takimit, Kryetari dhe Ambasadori diskutuan për idenë e mundësisë së krijimit të një Zyre Ndërlidhëse në kuvendet e të dyja shteteve, ku deputetët do të informohen në kohë reale për zhvillimet brenda institucioneve përkatëse, pastaj ku shkëmbehen njoftimet për qëndrimet e kuvendeve në raport me temat e caktuara si dhe ku përditësohen lajmet lidhur me procedurat dhe iniciativat në zhvillim me rëndësi për vendet tona.
Kjo do të ndihmonte edhe në mësim reciprok nga përvoja e komisioneve parlamentare dhe trupat punuese të dyja shteteve, ku shkëmbimi i praktikave më të mira dhe forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional do të lehtësonte adresimin e çështjeve të përbashkëta për të avancuar agjendat e zhvillimit të dy kuvendeve.
Kryetari Basha më tej theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Shqipërisë për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, duke shprehur angazhimin serioz të Kuvendit të Kosovës për të avancuar në këtë drejtim. Ai gjithashtu uroi Ambasadorin Malaj për hapjen e katër kapitujve në negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke vlerësuar këtë arritje si moment të rëndësishëm përpara në rrugën e integrimit evropian.
Në këtë kuadër, Kryeparlamentari Basha kërkoi gjithashtu mbështetje të mëtejshme nga Shqipëria për t’u përballur me sfidat që Kosova po kalon, sidomos përballë agresionit të vazhdueshëm nga Serbia, e cila, në forma të ndryshme ndërmerr sulme diplomatike, propagandistike dhe destabilizuese ndaj Kosovës. Kryetari gjithashtu kërkoi nga shteti shqiptar që në takimet me partnerët ndërkombëtarë, të insistojë për largimin e masave të padrejta ndaj Kosovës, duke theksuar nevojën për qasje të drejtë dhe të barabartë në raport me shtetin dhe qytetarët e Kosovës.
Kryetari Basha e falënderoi Ambasadorin Malaj për angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe kontributin për bashkëpunimin mes dy shteteve tona, duke theksuar nevojën për sinkronizim edhe më të madh mes institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë në të gjitha nivelet, për të përballuar me sukses sfidat e përbashkëta dhe për të avancuar agjendat evropiane të shteteve tona. /Gazeta Enigma