Basha: Jam thirrur si person që ka dijeni për një çështje në hetim

Basha: Jam thirrur si person që ka dijeni për një çështje në hetim

Lulzim Basha, ish-kryetari i Partisë Demokratike, nuk ka dhënë shumë detaje mbi arsyen e thirrjes së tij nga SPAK pasditen e sotme.

Në një konferencë për media pas daljes nga ambientet e SPAK-ut, ai theksoi se ishte thirrur si person që ka dijeni për një çështje që është nën hetim.

I pyetur nëse bëhej fjalë për ngjarjen e 21 janarit, Basha u shpreh se do të japë më shumë detaje në një konferencë të veçantë për media.

“Informacionin se për cilën çështje bëhet fjalë ju lus ta merrni te institucioni përkatës, pasi duhet të respektoj sekretin hetimor,” tha Basha.

Sipas Top Channel, Basha mbërriti në ambientet e SPAK-ut rreth orës 16:08.

Më 21 janar 2011, në bulevard u vranë protestuesit Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika. Deri më tani drejtësia ka zbardhur vetëm dy prej rasteve, ato të Myrtajt dhe Veizit, duke dënuar ish-efektivët Ndrea Prendi dhe Agim Llupo.

Ndërkohë, ende nuk dihet kush qëlloi mbi Hekuran Dedën dhe Aleks Nikën, ndonëse dosja për një kohë të gjatë është mbajtur nën hetim nga Prokuroria e Tiranës. Familjarët e Nikës fituan çështjen në Gjykatën e Strasburgut, e cila vendosi se shteti shqiptar kishte dështuar të hetonte siç duhet protestën e përgjakshme, që nga momenti i nisjes e deri në fund.

Për këtë arsye, ata kërkuan që ngjarja e 21 janarit të hetohet nga SPAK.

Related Articles